Gjashtë ditë zjarre/ Gjendet i pajetë një tjetër emigrant në Greqi, shkon në 19 bilanci u viktimave

25/08/2023 12:31

Autoritet greke kanë gjetur mëngjesin e së premtes edhe një person të djegur që ka humbur jetën nga zjarret masive që djegin për të 6 ditë rresht zonat pyjore pranë qytetit lindor të Greqisë, Aleksandrupolis.

Bëhet fjalë përsëri për një emigrant dhe numri i viktimave nga zjarret në këtë zonë ka shkuar në 19, ndërsa është gjetur edhe trupi i dekompozuar i një emigranti tjetër që ka vdekur për arsye patologjike.

Ndërkohë situata në Aleksandroupolis mbetet ende e vështirë për shkak të rindezjes së vatrave të vjetra të zjarreve në zona të ndryshme, që krijojnë fronte të vogla, të cilat nga ana e tyre shkaktojnë dëme të mëdha.

Në një prej këtyre zonave operon për të dytën ditë rresht ekipi i zjarrfikësve shqiptarë i përbërë prej 49 vetësh, të ndarë në dy grupe që bashkë me zjarrfikës nga Çekia dhe Rumania i janë shtuar rreth 200 zjarrfikësve grekë në këtë zonë.

Flakët vazhdojnë të djegin edhe në zonat e Iteas, Koilas, Triphyllis e ndër të tjera ka zjarre edhe në zonën industriale të Aleksandrupolit apo në Nipsa pranë aksit ndërkombëtar rrugor të autostradës Egnatia.

Ndërkohë është përmirësuar situata e zjarreve që digjnin pyllin kombëtar të Parnithas në Athinë pasi fuqia e erës ka rënë duke e bërë më të lehtë shuarjen e flakëve dhe përpjekjet e 260 zjarrfikësve me 77 automjete, 5 avionë e 8 helikopterë.

Pamjet e mëngjesit kanë zbuluar edhe dimensionet e katastrofës. Dhjetëra shtëpi e makina janë djegur tërësisht ndërsa autoritet po punojnë vlerësimin e dëmeve. Edhe në frontin e tretë të zjarreve masive në Vioti, situata është përmirësuar dhe kanë mbetur vetë disa vatra zjarri të vogla ku po operohet prej orëve të mëngjesit.

Sipas të dhënave që publikon sistemi i informacionit europian për zjarret ( European Forest Fires Information System) Greqia mban sivjet vendin e parë në Europë për sipërfaqe toke të djegura, mbi 151.900 hektarë deri tani, ndërsa ende mbeten të pallogaritura dëmet materiale për shtëpitë, makinat apo bizneset që u shkatërruan.

Top Channel