Shumë njerëz i konsiderojnë luleradhiqet si barëra të këqija, që rriten në lëndina e kopshte dhe nxitojnë t’i shfarosin. Por në fakt, ato janë të mbushura me vitamina e minerale dhe mund të veprojnë si një ilaç bimor.
Bima e luleradhiqes ka shumë përfitime shëndetsore, të tilla si përmirësimi i funksionit të tretjes, të mëlçisë dhe veshkave. Luleradhiqja, jo vetëm që rrit aftësinë metabolike dhe detoksifikuese të mëlçisë, por mbron gjithashtu veshkat dhe është një diuretik i shquar në mesin e ilaçeve bimore.
Disa njerëz preferojnë ta konsumojnë në formë çaji, si një mënyrë për të larguar toksinat nga trupi. AgroWeb.org në këtë artikull ju njeh me disa faktorë që duhen marrë parasysh para se të filloni një detoksifikim të tillë.
Pse njerëzit janë rikthyer tek përdorimi i luleradhiqeve?
Ekstraktet e luleradhiqes kanë një histori të gjatë përdorimi, veçanërisht në mjekësinë tradicionale kineze dhe mjekësinë amerikane.
Amerikanët vendas e përdorën luleradhiqen duke e zier, për të trajtuar sëmundjet e veshkave, ënjtjen, problemet e lëkurës, urthin dhe shqetësimin e stomakut.
Në mjekësinë tradicionale kineze, luleradhiqja përdoret për problemet e stomakut, apandesitin dhe problemet e gjirit.
Edhe evropianët e hershëm e përdorën atë për të kuruar ethet, diabetin dhe diarrenë.
Luleradhiqet janë një burim i shkëlqyer i vitaminave A, C dhe K.
Një filxhan me luleradhiqe ka 112 % vlerës ditore të vitaminës A, 32 % të vitaminës C dhe 535 % të vitaminës K.
Këto vitamina ndihmojnë në mbështetjen e sistemit imunitar, ruajnë shëndetin e kockave dhe rregullojnë koagulimin e gjakut.
Të thata dhe të ruajtura siç duhet, rrënjët e luleradhiqes mund të mbahen deri në një vit.
Procesi është i thjeshtë: Pasi të keni zgjedhur rrënjët, zhytini në ujë për disa minuta dhe më pas shpëlajini derisa të pastrohen plotësisht.
Pritini rrënjët në copa të vogla dhe piqini në furrë në 200 gradë për rreth një orë. Kjo do t’i zvogëlojë dhe do t’i thajë plotësisht.
Pastaj vendosini në një kavanoz hermetik dhe përdorni për çaj.
Ndërsa gjethet mund t’i përdorni në sallata, supë dhe sanduiçe.
Luleradhiqja është një nga barërat mjekësore më pak problematikë, por ajo ende mbart rreziqe për disa njerëz.
Ende nuk dihet mjaftueshëm për përdorimin e luleradhiqes gjatë shtatëzanisë dhe ushqyerjes me gji, kështu që ekspertët këshillojnë që të mos e konsumoni gjatë kësaj kohe.
Ajo gjithashtu mund të kundërveprojë me antibiotikët, duke ulur efikasitetin e tyre, si dhe të ndërveprojë negativisht me medikamentet që ndryshojnë funksionin e mëlçisë dhe diuretikët.
Top Channel