Gara për bashkinë e Kukësit/ Berisha cakton primaret më 27 gusht, propozohen 10 kandidatura

23/08/2023 17:21

Rithemelimi i drejtuar nga Sali Berisha vendosi që primaret për zgjedhjet e bashkisë Kukës të mbahen më 27 gusht, ndërsa dega propozoi 10 kandidatura.

Kryesia e drejtuar nga Sali Berisha në mbledhjen për organizimin e procesit zgjedhor për Primare për zgjedhjet e pjesshme të datës 24 shtator 2023 në Bashkinë Kukës, vendosi që primaret të mbahen të dielën.

Kandidatët e primareve do të jenë sipas listës së miratuar nga Kryesia në aneksin bashkëlidhur vendimit: Mbështetur në dekretin e datës 11 gusht 2023 të Presidentit për shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë Kukës, në datën 16 gusht, KQZ ka përcaktuar afatet proceduriale të cilat duhet të zbatohen nga partitë politike për regjistrimin e zgjedhjeve. Nisur nga këto afate dhe në përputhje me statutin e PDSH-së dhe vendimin nr. 38 të datës 01.10.2022 të Këshillit Kombëtar për Primaret jemi të detyruar të organizojmë primaret në një kohë sa më të shpejtë. Dega Kukës pas mbledhjes së Kryesisë realizuar me drejtuesin politik të qarkut në datën 16 gusht 2023 ka mbledhur kandidaturat për primaret për zgjedhjet vendore të datës 24 Shtator 2023. Dega ka sjellë 10 propozime të cilat janë kontaktuar nga Sekretariati Organizativ dhe janë ftuar të plotësojnë dokumentacionin e kandidimit për Primaret. Deri sot, në afatin e fundit për pranimin e dokumentacionit kanë plotësuar formularët 6 kandidatë nga te cilët 5 janë propozuar nga dega dhe një është vetëpropozim. Bashkëngjitur përmbledhja e kandidaturave të cilët kanë plotësuar dokumentacionin dhe projekt vendimi i propozuar sot Kryesisë së PDSH-së.

Nga ana tjetër, një ndër emrat e propozuar nga Rithemelimi, Arif Rexhmati shprehet se PD duhet të përfaqësohet me një kandidat të veëm, sipas kërkesës së demokratëve të Kukësit.

Te nderuar demokratë, Fillimisht dua te shpreh konsideraten me te larte per anetaresine e PD Kukes. Ndihem thellesisht i perulur nga vleresimi dhe besimi juaj duke me propozuar per kandidat per zgjedhjet e jashtezakonshme per Bashkine Kukes.  Mirenjohja ime eshte per gjithesecilin prej demokrateve qe me sakrifica te patregueshme kane qendruar dhe qendrojne perballe imoralitetit dhe antivlerave qe i jane imponuar padrejtesisht Kukesit dhe kuksianeve. Shpreh vleresimin me te thelle dhe falenderimet per kedo qe eshte investuar sinqerisht per nje proces gjithperfshires dhe perbashkues per nje kandidat konsensual duke perfshire deputetet e Qarkut Kukes, z. Flamur Hoxha dhe z. Isuf Çela. Ne situaten qe po kalon PD, kam shprehur gatishmerine per te qene pjese e nje zgiidhje perbashkuese, qe do te conte ne perfaqesimin me nje kandidat te vetem rezident ne Kukes sipas kerkeses se demokrateve te Kukesit. Ndonese mbeshtes parimin e konkurences, gjykoj ashtu si shume prej demokrateve, se futja ne nje proces primaresh kur ka mbetur vetem nje muaj nga zgjedhjet dhe kur situata e brendshme e demokrateve vazhdon te vuaje pasojat e konfliktualitetit dhe te fajesimit, me gjithe qellimin e mire ne vetvete, nuk i sherben konsolidimit te strukturave dhe gatishmerise se tyre per fushaten. Hatermbetjet e pas votimit krijojne perçarje dhe jo bashkim te anetaresise, ndersa besueshmeria e procesit jo vetem qe nuk jep garanci per bashkim por mund te jete burim konflikti gjate dhe pas procesit, me deme te pariparueshme per rezultatin ne zgjedhje. Duke vene interesat e demokrateve dhe te mbare familjeve kuksiane te parat, perseris apelin tim dhe te shume demokrateve ne Kukes per te evidentuar nje kandidat rezident ne Kukes, gjithperfshires, konsensual, perbashkues me qellimin e vetem te fitores mbi kandidatin e rilindjes dhe te oligarkeve te Rames. Me konsiderate, Arif Rexhmati”, shkruan ai.

Pak orë më parë, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Admir Sinamati njoftoi se nuk do të merrte pjesë në garë.

Njoftim i tij i plotë

Të dashur drejtues dhe anëtarë të PD Dega Kukës! Fillimisht shpreh kënaqësinë që prej kaq kohësh jemi bashkë të rreshtuar në mbrojtje të interesave të qytetarëve kuksianë, duke bërë prezent situata dhe denoncuar hapur e me forcë fenomene të dëmshme të prodhuara nga korrupsioni, injoranca dhe përbuzja qeveritare. Ju falenderoj të gjithëve pa përjashtim për mbështetjen e dhënë edhe së fundmi që më keni propozuar unanimisht të jem kandidat për zgjedhjet e pjesshme vendore të 24 Shtatorit për kryetar në Bashkinë Kukës. Me mirnjohje të pakufijshme ndaj respektin dhe vlerësimin për secilin prej jush! Të nderuar qytetarë banorë të Bashkisë Kukës dhe në veçanti ju që më mbështetët me votën tuaj më 14 Maj 2023! Pavarësisht se unë nuk arrita të zgjidhem kryetar, vota juaj tregoi se në Kukës ende ka shpresë, ka rezistencë qytetare dhe besim në përmbysjen e regjimit të diktaturës së korrupsionit dhe krimit.

Të nderuar miq! Me gjithë thirrjet dhe insistimin e pafundëm nga ju, vërejtjeve apo mosdakordësisë së një numri të kufizuar individësh (që militojnë një pjesë me shpirt e pjesa dërrmuese e tyre sa për t’u dukur në PD) për të kandiduar më 24 Shtator 2023; unë kam vendosur: të mos garoj në këto zgjedhje. Unë u përfshiva në betejën e 14 Majit 2023 në respekt të vetes, familjes time, Kukësit dhe Shqipërisë duke qenë i bindur se vetëm me aktivitet dhe kontribut proaktiv kundër së keqes dhe tiranisë së korrupsionit bëjmë detyrën patriotike, shërbimin intelektual dhe njerëzor, ndaj vendit dhe njerëzve tanë. Isha koshient se kisha përballë një makineri të rëndë shtetërore dhe parapolitike pasi rivalizoja një nga njerëzit dhe strukturat më të favorizuara nga paratë e pista të korrupsionit si dhe të mbështetur fuqimisht nga të gjitha qelizat e shtetit dhe pushtetit në qendër dhe bazë; megjithatë nuk u stepëm, u përballëm por devijimi kriminal e bëri të veten: grabiti fitoren e qytetarisë dhe nevojës ulëritëse të Kukësit për ndryshim. Ato që unë dhe bashkëpunëtorët e mi i thamë hapur dhe me gisht të drejtuar u vërtetuan shpejt dhe me një farë forme, atë që nuk e realizoi vota e devijuar e përfundoi vesi, pra 7 ditë pas riciklimit dhe 40 ditë pas konfirmimit devijant Kukësi u çlirua nga një pushtues që ia kishte vrarë demokracinë, fjalën dhe votën e lirë. I gjendur në këto kushte kur tashmë edhe pala kundërshtare ka hedh “në ring” një kandidat që ndryshon shumë nga ai i pari, kur situata aktuale është tejet më pozitive dhe favorizuese për opozitën e veçanërisht në Kukës, kur për fat të mirë edhe nga rradhët e demokratëve tashmë kemi një numër të madh kandidatësh optimistë për pëfshirje në kandidim dhe besimin në fitore, kur një realitet i ri politik po don me marrë formë( bashkim lokal me poseduesit e vulës së PD), disa arsye të tjera personale si dhe për shkak të botkuptimit tim politik, unë jam i bindur se opozita në Kukës dhe PD nuk do të ndjejë aspak moskandidimin tim.

Duke i uruar secilit nga kandidatëve suksese në primare dëshiroj të përzgjidhet më i miri/a në mënyrë që jo vetëm të sigurohet fitorja e shumëpritur e Bashkisë por edhe të kemi garanci për një qeverisje të drejtë, të aftë e njerëzore, si dhe në karrigen e kryebashkiakut të ulet një person që nuk ka bërë apo nuk bën kompromise/pazare me mundin dhe djersën e demokratëve. Ftoj të gjithë demokratët dhe uroj që proçesi i primareve të na shërbejë për bashkim, konsolidim dhe energji pozitive. Këtë vendim ia kam bërë të ditur edhe kryetarit të PDSH Prof. Dr. Sali Berisha të cilin e falenderoj pafundësisht për inkurajimin dhe mbështetjen e dhënë ndaj meje dhe Kukësit në mënyrë të pandërprerë, si dhe e kam siguruar Atë që kontributi im nuk do t’i mungojë asnjëherë PD dhe vendit për asnjë arsye. Nga zemra uroj që Kukësi më 24 Shtator të votojë kandidatin e PD!

Për këto zgjedhje të pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Kukës, forcat politike kanë afat deri më datë 1 shtator për t’u regjistruar në KQZ si subjekte zgjedhore, ndërsa kandidatët jo më vonë se data 8 Shtator.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA