“Vuçiç i ofroi Zelenskyt armë për Kosovën”, Von Cramon: Marrëveshje e fshehtë!

22/08/2023 13:54

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Crammon ka reaguar ashpër ndaj takimit që presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi në Athinë me kreun e shtetit serb, Aleksandër Vuçiç.

Sipas eurodeputetes, ka gjasa që Vuçiçi t’i ketë ofruar homologut të tij armë, me kushtin që Kievi të vazhdojë të mos e njohë pavarësinë e Kosovës. Ajo shpërndau një postim në Twitter të deputetit ukrainas Oleksiy Goncharenko, i cili tha se Ukraina s’duhet të komprometojë parimet e saj dhe se duhet ta njohë Kosovën shtet.

“E saktë! Ka shumë mundësi që Aleksandër Vuçiç të ketë rënë dakord me  Volodymyr Zelenskyn për të ushtruar kryesisht presion mbi Ukrainën: armë në këmbim të mosnjohjes së Kosovës. Unë shpresoj se Zelensky e kupton se çfarë rreziku politik mund të sjellë një marrëveshje e tillë. Pavarësia e Kosovës dhe stabiliteti janë gjithashtu në interes të Ukrainës”, u shpreh Viola von Cramon .

Zelensky u takua me Vuçiçin në kuadrin e darkës joformale që organizoi shefi i ekzekutivit grek, Kyriakos Mitsotakis me liderë të rajonit. Presidenti serb e pohoi vetë përmes një postimi në Instagram se në takim, të dy ata kishin diskutuar edhe mbi Kosovën.

“Ia shpjegova situatën rreth Kosovës. Nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndryshim në pozicionin e Ukrainës në lidhje me integritetin tonë territorial. Ne e mbështetëm Ukrainën në rrugën e saj europiane”.

Vuçiç e kundërshtoi ndërkohë  një dispozite në Deklaratën përfundimtare, për të cilën u ra dakord gjatë darkës së shtruar nga Mitsotakis që kërkonte vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, kështu që sipas mediave serbe, kjo dispozitë nuk u miratua as si pjesë e dokumentit të konfirmuar mbrëmë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA