Minatori i plagosur tek Trauma/ Raporte kontradiktore për ngjarjen, burime nga policia: Është parë duke pirë kafe

22/08/2023 16:06

Raporte kontradiktore janë dhënë për minatorin e plagosur në Bulqizë.

Sipas policisë së Dibrës, rreth orës 19:30, të mbrëmjes së djeshme është paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore në spitalin e Peshkopisë minatori Shyqyri Çela 60 vjeç, i punësuar në një subjekt minerar në Bulqizë.

Pasi ka marrë ndihmën e parë, 60-vjeçari është transportuar për ndihmë më të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.

“Rreth orës 19:30, të mbrëmjes së djeshme, është paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore, në spitalin e Peshkopisë, shtetasi Sh. C., 60 vjeç, me profesion minator, i punësuar në një subjekt minerar, në Bulqizë. 60-vjeçari është transportuar për ndihmë më të specializuar, në Spitalin e Traumës, Tiranë. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet e thelluara, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të këtij rasti“, sipas policisë së Dibrës.

Nga ana tjetër, burime nga policia e Bulqizës thonë se personi në fjalë pas verifikimit të kamerave të një lokali në Fushë Bulqizë është parë duke pirë kafe dje pasdite rreth orës 14:30.

Sipas informacioneve, minatori punonte në zonën D të minierës së Bulqizës, ku punohet vetëm turni i parë nga ora 7:00 në orën 14:00.

Burime pranë spitalit të Bulqizës bëjnë me dije se në urgjencë nuk është paraqitur asnjë minator i plagosur.

Minatori mund të ketë pasur probleme shëndetësore gjatë punës, nuk përjashtohet edhe pista e një aksidenti që mund t’i ketë ndodhur gjatë punës dhe është ndjerë keq më vonë pasi ka dalë nga galeria. Ende nuk dihen detaje të reja në lidhje me ngjarjen, ndërkohë grupi hetimor ka nisur hetimet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA