Fraksioni i dosjes “Veliaj”/ Elman Abule u paraqit në GJKKO, shtyhet për nesër shpallja e vendimit

25/11/2026 15:50

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë shpalljen e vendimit për fraksionin e dosjes “Veliaj”, ku janë të pandehur 8 persona dhe 3 shoqëri tregtare.

Vendimi për Elman Abulen dhe të pandehurit e tjerë do të shpallet nesër në orën 15:30, pasi gjykatës i nevojitet më shumë kohë për shkak të prapësimeve me shkrim që janë dorëzuar, raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.

Biznesmeni Elman Abule është paraqitur pak minuta më parë në SPAK. Në pretencën e paraqitur më 3 qershor, SPAK kërkoi gjithsej 28 vite burg për gjashtë nga të pandehurit, si dhe gjobitjen e tre shoqërive të përfshira në dosje.

Ndër dënimet e kërkuara është edhe ai për biznesmenin Elman Abule, i cili ndodhet në arrest shtëpie. Për të, prokuroria kërkoi 7 vite burg, dënim që në rastin e gjykimit të shkurtuar reduktohet në 4 vite e 8 muaj.

Abule, i akuzuar për pastrim parash, është i vetmi për të cilin SPAK kërkoi që dënimi të jetë “arrest në burg”.

Sipas akuzës, përmes kompanisë së tij “Rametal”, Abule ka ndihmuar në qarkullimin e parave drejt subjekteve të lidhura me Ajola Xoxën, duke përdorur fatura që hetuesit dyshojnë se janë fiktive.

Vendimi i sotëm i GJKKO-së do të përcaktojë përgjegjësinë penale të të pandehurve dhe masat përkatëse për personat dhe shoqëritë e përfshira në këtë fraksion të dosjes “Veliaj”.

Top Channel