Tregu i muzikës shqiptare po përjeton një epidemi largimesh në një kohë të shkurtër, që nga Alban Ramosaj, Fero e reperi Nushi.

Fero përmes një postimi në rrjete sociale shprehet se ka vendosur ta lejë angazhimin në muzikë dhe t’i përkushtohet fejës islame dhe familjes së tij.

Në mënyrë të çuditshme ai ka bërë thirrje që të mos i dëgjojnë më këngët e tij, ndërsa ka fshirë të gjitha fotot nga profili i tij.

Ky vendim i Feronit Shabanit vjen pas trazirave në jetën e tij private, nga arrestimi për dhunë ndaj partneres së tij, Arbentina Ismajli dhe divorci mes tyre.

“Përshëndetje miq , deshta t’ju njoftoj se kohëve të fundit kam pasur disa sfida në jetën time , të cilat me ndihmën e Allahut i kam kalu. Unë kam vendosur që përfundimisht të largohem prej muzikës, arsyeja kryesore është se kohëve të fundit kam studiuar rreth Fejës Islame dhe më është bërë e çartë se muzika është e ndaluar në islam. Për këtë arsye kam vendosur që ta lë muzikën dhe t’i përkushtona fejës islame dhe familjes time. Unë dua t’ju njoftoj se falem 5 herë në ditë, dhe pendohem te Allahu Krijuesi i gjithësisë për çdo këngë që e kam kënduar Dhe çdo tekst që e kam shkruar, pastaj i kërkoj falje familjes time dhe gjithëkujt që i kam bë padrejtësi , ju kërkoj që t’ma bëni hallall. Unë kam një mesazh për çdo kënd që dëgjon këngët e mija le t’i fshin ato këngë ose mos t’i dëgjon asniher, le të largohet nga kjo gjë e kotë. Secili njeri është i lirë të zgjedh mënyrën se si ta jeton jetën e tij. Gjithashtu ju thërras të gjithë juve që të falni namazin ndiqni shembullin tim të udhëzimit dhe të largoni nga shembulli i devijimit E di se do të ketë njerëz që do t’më paragjykojnë , do të thonë se a e dini se çfarë mëkate ke bë etj etj mirëpo mua më mjafton fjala e Allahut të Lartësuar:  “Thuaj: “O robërit e Mi, ju që e keni ngarkuar veten me shumë gabime, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, se vërtet Allahu i fal të gjitha mëkatet.” Ez Zumer 53. Me respekt Feronit Shabani”, shkruan Fero në Instagram.

Pak ditë më parë, ishte Alban Ramosaj, i cili përmes një postimi i la të gjithë pa fjalë me informacionin se do të largohej nga muzika.

Arsyeja e largimit të artistit nga nga muzika, sipas tij është realiteti mbytës, ndërsa shton se nuk mjaftojnë vetëm ëndrrat për të ecur përpara, por duhet frymëzim, motivim, për të cilën këngëtari shprehet se i është zbehur.

“Një Letër Për Publikun Tim Të Dashur Të “Koloseut”. Gjatë jetës sime, kam jetuar me filozofinë e përqafimit dhe ndjekjes se ëndrrave dhe aspiratave të fëmijës së brendshëm. Autenticiteti qè artist? veçanërisht muzikantët sjellin në veprat e tyre, gjithmonë ka rezonuar thellë me mua. Megjithatë, kam kuptuar që pak nga pak, kam kompromentuar thelbin e asaj qe përshkruan uni-n tim artistik. Së fundmi, jam ndeshur shpesh me sfidën e shprehjes autentike artistike. Ndikimet e jashtme kanë pushtuar ngadalë, hap pas hapi hapësirën time kreative, kështu, duke fryer fort mbi flakën e qiriut që njëherë më dha motiv. Ajo që nisi si një ëndërr, një pasion i palodhur, ajo që më shoqëronte nga agimi deri në perëndim, ndjej që pas gati 10 vitesh, është duke u zbehur. Fusha e betejës në të cilën gjendem, ka lënë fëmijën tim të brendshëm të plagosur dhe të ndjeshëm, i gjakosur shtrirë në krahët e mia, duke shikuar drejt syve te mi, duke përshpëritur, “Të lutem, mund të vazhdoj ende, mund t’ja dal.” Mençuria shoqëron kalimin e kohës dorë për dorë. Kam mësuar se të dorëzohesh në një betejë nuk është ekuivalente me humbjen e luftës, e kështu, tashmë di më mirë se sa të lejoj veten të “luftoj” në ambiente të padrejta apo “të pafavorshme” Pra, është koha që unë të jem “egoist” në mënyrë të vet-ruajtjes time. Është koha të riparoj mirëqenien time fizike dhe mendore, të pastroj shpirtin nga ndotjet që i janë bërë. Megjithatë, ky vendim nuk është një vendim që mund ta merrja vetëm në diskrecion- kam përgjegjësi, është një mesazh që duhet ta ndaj me ata që më kanë mbështetur mua në këtë udhëtim. Mbështetja juaj e palëkundur, brohoritjet, duartrokitjet, sytë tuaj vëzhgues, veshët që dëgjojnë dhe mirëbesimi i të lënurit zemrat tuaja nën influencën e penës sime… më kanë mbajtur, dhe për këtë, ju jam më shumë se kurrë mirënjohës, përgjithmonë. Për publikun tim te dashur të “koloseut,” nëse do më njihnit personalisht, ndoshta do të thonit “Tipike Albanesque,” për mbylljen e këtij kapitull me një prekje dramatike. Por ju më njihni – unë lulëzoj në botën e dramës, pasi gjej një bukuri të caktuar poetike në të. Me mirënjohje te ndjerë dhe një ndjenjë të rinovuar qëllimi, Alban Ramosaj. Derisa të takohemi sërish, faleminderit dhe lamtumirë”, shkroi Ramosaj.

Një tjetër emër i njohur hoqi dorë nga tregu muzikor. Reperi nga Prishtina, Nushii lajmëroi të gjithë fansat se nuk do të jetë më pjesë e muzikës.

‘Faleminderit atyre që më kanë dashur e më kanë përcjellur gjatë këtij rrugëtimit tim të muzikës, qoftë ai edhe një person”, është shprehur ai, teksa ka fshirë fotot nga profili i tij me mbi 100,000 ndjekës.

Nuk dihet nëse largimi i tyre do të jetë i përhershëm, apo do të ketë rikthim në muzikë, siç ndodhi me disa artistë si Flori Mumajesi apo Orgesa Zaimi.

Nga ana tjetër, artistët që hoqën dorë nga muzika për t’u fokusuar në një fushë tjetër janë Ledina Çelo, Joana Smakaj, Anjeza Shahini, Leonora Poloska, Xhesi Jorgaqi, Xhesi Jorgaqi, Jonida Maliqi apo Orinda Huta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA