Policia spanjolle konfirmon se zjarret në Tenerife janë ndezur qëllimisht (fotot)

21/08/2023 17:12

Zjarret në ishujt Kanarie digjen jashtë kontrolli prej pesë ditësh.

Kreu rajonal i ishujve spanjollë Kanarie, Fernando Clavijo tha mbrëmë se zjarret që po djegin ishullin turistik të Tenerife janë ndezur qëllimisht.

Clavijo tha se policia po hetonte në tre pista por nuk tha nëse ishin bërë arrestime.

Ndërkohë përmirësimi i kushteve të motit ka bërë që zjarrfikësit të avancojnë gjatë natës së shkuar në luftën me zjarret.

“Nata ishte e vështirë por falë punës së zjarrfikësve kemi pasur rezultate pozitive”, tha guvernatori i Tenerife, Rosa Dávila në një konferencë shtypi.

Ishujt Kanarie kanë regjistruar sasi të vogla reshjesh vitet e fundit, ashtu si dhe pjesa tjetër e Spanjës, sipas zyrtarëve vendas.

Megjithse zjarret në verilindje të ishullit nuk janë afër zonave turistike, shumë hotele janë evakuar nga autoritetet në parkun kombëtar vullkanik të Teide në qendër të Tenerife, rreth 50 km larg zonës së zjarreve.

Dávila shtonte se disa mijëra njerëz janë evakuar që prej nisjes së zjarreve të martën ndërsa mijëra hektarë pyje pishash janë djegur.

Më shumë se 400 zjarrfikës e ushtarakë janë dislokuar në situatë ashtu si dhe rreth 20 mjete ajrore për lëshimin e ujit nga lartësia.

Spanja është një nga vendet më të dëmtuara nga zjarret këtë vit me disa dhjetra mijëra hektarë të djegura, e ndjekur më pas nga Italia e Greqia.

FOTO GALERI
1/3
Kreu rajonal i ishujve spanjollë Kanarie, Fernando Clavijo tha mbrëmë se zjarret që po djegin ishullin turistik të Tenerife janë ndezur qëllimisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA