Koncesioni i sterilizimit, GJKKO i “kërcet dhëmbët” SPAK-ut për ish-ministrat Ilir Beqaj dhe Shkëlqim Cani

17/08/2023 10:39

GJKKO i kërkon SPAK-ut të ushtrojë ndjekje penale edhe për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Cani, në lidhje me koncesionin e sterilizimit.

Vendimi prej 348 faqesh për koncesionin e sterilizimit është dhënë që më 23 qershor, thanë burime të gazetares Anila Hoxha, por SPAK i ka dërguar për ekzekutim një ditë më parë.

Në këtë dosje një nga të parat të dorëzuara në SPAK, ndodhi edhe përplasja e parë mes Prokurorisë së Posaçme dhe GJKKO-së e cila  ka miratuar dhe ka sugjeruar ushtrim të ndjekjes penale edhe për 6 ish zyrtarë, mes tyre edhe për ish ministrat Ilir Beqaj dhe Shkëlqim Cani, por SPAK, nuk ka dorëzuar ende një mase të dytë, thanë burime shumë të sigurta të Anila Hoxhës.

Për herë të parë gjykata urdhëron Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave që të marrë masa e të shpallë të pavlefshme kontratën e sterilizimit sepse sipas gjykatës është ndërmarrë në konflikt të hapur interesi, përderisa biznesmeni Ilir Rrapaj ka njohje me ish zv. ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe ish ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqajn.

GJKKO vendosi masën “arrest me burg” për ish zv. ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj i akuzuar për shpërdorim detyre dhe Ilir Rrapajn i akuzuar për “mashtrim me pasoja të rënda” për koncesionin e sterilizimit.

Aktualisht ish-ministri Shkëlqim Cani ndodhet në SPAK këtë të enjte.

Zyrtarë të tjerë të përfshirë janë Marsela Seriani dhe Saimir Kadiu të cilët u lanë në “arrest shtëpie” për shpërdorim detyre. Kurse për Arben Gjatën, Naile AbazinGent Burazerin dhe Pertref Mersinin  u vendos masa “detyrim paraqitje” për shpërdorim detyre.

Në lidhje me këtë çështje, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, u paraqit në SPAK disa javë më parë, pasi koncesioni u dha gjatë kohës që drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.

Gjithashtu më herët në SPAK dha dëshminë e saj ish-ministrja e Financave, Anila Denaj dhe  ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, tashmë i arrestuar.

Kujtojmë se në muajin qershor, SPAK tërhoqi dokumentet e sterilizimit dhe chekup në spitalet e vendit, lidhur me shërbimet që kryejnë, sasitë dhe pagesat e bëra për koncesionaret që kanë fituar tenderin.

Hetimet e SPAK që zgjasin prej dy vite e gjysmë konstatojnë se koncesioni është dhënë në kundërshtim me ligjin.

Dosja e sterilizimit u kallëzua gjatë vitit 2019 nga “Nisma Thurje”, e cila theksoi se kontrata e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale e Partneritetit Publik Privat, firmosur në vitin 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe kompanisë koncensionare “Sani Srevice” po i shkaktonte shtetit dëm ekonomik.

Një auditim i KLSh-së ka konstatuar se pajisje me vlerë gati 107 milionë lekë të blera nga qeveria shqiptare iu dhuruan koncesionarit pa pagesë dhe pa asnjë parashikim në kontratë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA