Turqia ka regjistruar temperaturën rekord prej 49.5 gradësh Celsius, teksa ekspertët kanë paralajmëruar se kjo valë e të nxehtit në Mesdhe do të vazhdojë deri në vitet 2040.

Temperatura rekord është shënuar gjatë së martës në provincën Eskishehër, teksa më e larta e shënuar më parë i përket verës së vitit 2021 me 49.1 gradë Celsius.

Shërbimi Kombëtar i Motit ka paralajmëruar se vala e të nxehtit do të vazhdojë t’i rrisë temperaturat normale të sezonit për 11 gradë.

Profesori i meteorologjisë në Universitetin Teknik të Stambollit, Baris Onol, është shprehur se arsyeja kryesore e të nxehtit ekstrem mbeten ndryshimet klimatike.

“Turqia do të jetë më e ekspozuar ndaj temperaturave të larta në 30 deri në 40 vitet e ardhshme, sikurse gjithë rajoni i Mesdheut”, u deklaroi ai teksa shtoi së piku i sezonit turistik në të ardhmen do të jetë në shtator dhe tetor.

Ndonëse fenomeni El Nino, që aktualisht është aktiv, ndikon në rritje të temperaturave, valët e të nxehtit janë bërë viteve të fundit më të shpeshta dhe më të gjata.

Muaji korrik u shënua më i nxehti në histori, me temperature përvëluese që mbërthyen shumë shtete.

 

Top Channel