Operacion antidrogë në Tiranë/ Sekuestrohen 400 mijë euro ekstazi! Pesë të arrestuar, mes tyre edhe një vajzë

15/08/2023 10:20

Një megaoperacion droge i zhvilluar në Tiranë ka vënë në pranga pesë persona, të përfshirë në shpërndarjen e tabletave ekstazi MDMA.

Të arrestuarit janë dy djem e një vajzë shqiptare dhe dy të tjerë shqiptarë të Kosovës.

Në janar të këtij viti gjatë operacionit të koduar “PUNISHER” u godit një grup shpërndarësish të drogave sintetike, ku u arrestuan tre persona, u shpall në kërkim një tjetër, si dhe u sekuestruan 1007 tableta ekstazi MDMA.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë në vijim të hetimeve për furnitorët e grupit të arrestuar në janar, ra në gjurmët e një rrjeti që trafikonte sasi të mëdha droge sintetike nga Kosova në Shqipëri.

Pas një hetimi disamujor me metoda speciale, policia zbuloi një grup prej pesë personash dhe gjatë operacionit të koduar “PUNISHER 2” u vunë në pranga Mithat Ramadani 30 vjeç, Besnik Mujeci, 40 vjeç, të dy banues në Prishtinë, si dhe Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, dhe Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Mësohet se Mujeci është aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.

Ata janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, së bashku me dërgesën prej 11300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro.

Duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik, ata i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusëve Prishtinë-Tiranë. Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, transportoheshin me makina të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare, dhe vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish. Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci.

Tabletat e ekstazisë MDMA, së bashku me një sasi lënde narkotike kanabis, një automjet, si dhe 5 aparate celulare, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

FOTO GALERI
3/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA