Në moshën 25-vjeçare është ndarë nga jeta protagonisti i serialit të suksesshëm të HBO-së, “Euphoria” .
Aktori i ri Angus Cloud dha frymën e fundit në shtëpinë e familjes së tij në Oakland, Kaliforni të hënën, një javë pas vdekjes së babait të tij.
Në një deklaratë, familja e tij tha: “Me zemrën e thyer na u desh t’i themi lamtumirë një njeriu të jashtëzakonshëm sot. I vetmi ngushëllim që kemi është të dimë se Angus tani është afër babait të tij, i cili ishte shoku i tij më i mirë. Shpresojmë që vdekja e tij të shërbejë si një kujtesë për të tjerët se ata nuk janë vetëm dhe se nuk duhet ta luftojnë këtë në heshtje”.
Edhe pse ende nuk dihet shkaku i vdekjes së tij, aktori po luftonte me shëndetin e tij mendor. Një burim i afërt me familjen e tij tha se Angus Cloud kishte “luftuar me mendime serioze vetëvrasëse” pas vdekjes së babait të tij. Përveç kësaj, ai përmend se po jetonte me familjen e tij teksa po përpiqej të kapërcejë pikëllimin.
Angus Cloud lindi në Oakland, Kaliforni më 10 korrik 1998. Ai ishte më i madhi nga vëllezërit e motrat e tij, duke pasur motra më të vogla binjake, Molly dhe Fiona.
Ai studioi në Departamentin e Dizajnit dhe Prodhimit në Shkollën e Arteve në Oakland, ku ishte shok klase, në fakt, me yllin Zendaya. Më pas, gjatë adoleshencës, por edhe në vitet e para të moshës madhore, është marrë me ndriçimin e shfaqjeve, por edhe me audion.
Para rolit të tij në serialin e HBO ‘Euphoria’, Cloud nuk kishte përvojë në industrinë e filmit. Marrja e tij e vetme me aktrim ishte në shkollën e mesme, kur mori pjesë në disa shfaqje shkollore.
Drejtoresha e kastit të serialit, Jennifer Venditti, e zbuloi atë ndërsa punonte në restorantin Woodlands në Brooklyn, Nju Jork. Ai fillimisht nuk e besoi se ajo e donte atë për një rol dhe mendoi se po përpiqej ta mashtronte. Më në fund, megjithatë, ajo e bindi atë.
“Padyshim që mendova se mund të ishte një lloj mashtrimi”, tha ai në një intervistë. “Më pas më treguan rolin dhe kishte më shumë kuptim. Sepse në kokën time po mendoja ” dukem sikur mund të bëhem një yll?”. Pastaj kuptova se ata më donin në fund të fundit, sepse dukesha sikur mund të bëhesha një tregtar droge ”, shtoi ai.
Për sa i përket suksesit të rolit të tij, ai tha: “Dallimi im me të gjithë emrat e mëdhenj është se ata përpiqeshin të bëheshin të famshëm. Ata punuan shumë dhe thanë “Unë do të arrij në majë”. Për mua ishte thjesht një mundësi shumë e mirë për të thënë jo. Por nuk e kisha idenë se do të shkonte kaq larg”.
Pas rolit të ‘Fez’ në serial, ai fitoi dy pjesë të tjera të vogla në filma, North Hollywood dhe The Line. Ai gjithashtu u shfaq në disa video muzikore për artistë si Becky G, Karol G dhe Juice WRLD.
Majin e kaluar ai kishte njoftuar se do të merrte pjesë në një film të Universal Pictures së bashku me Katheryn Newton, Dan Stevens dhe Melissa Barrera, por pas vdekjes së tij ai do të zëvendësohet, pasi xhirimet ende nuk kanë filluar.
Top Channel