Konflikt mes dy familjeve për pronat në Durrës/ Punonjësi i Gardës qëllon me armën e shërbimit! 6 të shoqëruar

30/07/2023 12:23

Një sherr për pronat mes familjes Nikolla dhe Kaçi ka përfunduar me përplasje me armë në Hamallaj të Durrësit.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen Hidrovor rreth orës 11:30. Pas dhunës fizike, Martin Nikolla – anëtar i njërës prej familjeve në konflikt dhe njëherazi punonjësi i Gardës – ka qëlluar më shumë se një herë në ajër me armën e shërbimit, por fatmirësisht nga të shtënat nuk është lënduar askush.

Konflikti mes dy familjeve ka nisur prej disa muajsh për një rrugë që kalon pranë familjes Kaçi. Paraditen e sotme, sherri ka nisur për një shikim, “pse sheh nga shtëpia jonë?”, që pjesëtarë të familjes Nikolli i kanë thënë Pjetër Kaçit. Përveç armës së shërbimit, në sherr janë përdorur dhe shkopinj bejzbolli.

Sipas njërit prej djemve të Pjetër Kaçit, Paulinit, konflikti për rrugën vazhdon prej kohësh dhe ka përfunduar në prokurori. Sot ata janë kapur me fjalë me babain e tyre të moshuar dhe më pas, pasi i kanë dalë në krah të bijtë, përplasja mes dy familjeve ka qenë fizike.

“Sot i kanë thënë babait pse sheh nga shtëpia jonë dhe kanë filluar ta godasin. Dolëm ta mbrojmë. Ai qëlloi 4-5 herë me armë po plumbat nuk na kapën. Çështja për rrugën është në prokurori, por ata bëjnë të fortin se kanë pushtet dhe ndjehen të paprekshëm”- tha Paulini, duke shtuar se “familja Nikolla i fyen vazhdimisht prindërit e tij dhe kur janë në punë të vet”.

Paulin Kaçi akuzon shoferin e kryeparlamentares Lindita Nikolla se bashkë me familjen e tij bën të fortin dhe nuk i lejon të jetojnë qetësisht në zonën e tyre të banimit. Në konfliktin e sotëm ka pasur edhe gra.

Policia ka shoqëruar disa persona të përfshirë në konflikt Martin, Alfred, Petrit dhe Arben Nikolla, si dhe Paulin, Sajmir e Kastriot Kaçi. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të konfliktit.

Ndërkaq, Ministria e Brendshme njoftoi shkarkimin e Martin Nikollës nga detyra.

Top Channel