Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor me 65 muzikantë të rinj e nisi nga Durrësi turin artistik të kësaj vere. 

Thirrja “Ejani të vallëzojmë” këtë sezon dyfishoi radhët e orkestrës me muzikantë nga 15 vende të ndryshme për të bashkuar përmes muzikës njerëzit nga Ballkani Perëndimor dhe vendet e BE-së me qëllim thyerjen e barrierave që ekzistojnë mes popujve dhe ndërtuar fqinjësi më të mira dhe paqe të qëndrueshme.

Si këto dy violiniste, shumë prej muzikantëve të rinj të orkestrës ndodhen për herë të parë në Shqipëri.

“Jam nga Bosnje Hercegovina dhe e lumtur që jam pjesë e këtij projekti. Do të luajmë në 8  qytete dhe i parë është Durrësi. Jemi këtu prej 10 ditësh. Kemi punuar shumë dhe në temperatura të larta, po ne e duam muzikën dhe duam të luajmë bashkë. Edhe kemi notuar. Durrësi është vërtet i bukur dhe e kemi shijuar edhe me bashkëmoshatarët tanë këtu. Është hera ime e parë në Durrës dhe me këtë orkestër”– tha vjolinistja boshnjake.

“Jam nga Gjermania dhe ndjehem shumë mirë sonte, në këtë arenë. Shumë e kënaqur të jem për herë të parë këtu”- u shpreh vjolinistja gjermane.

Orkestra interpretoi valle simfonike dhe vepra mjaft popullore nga kompozitorë të njohur botërorë, si dhe për herë të parë u interpretua edhe një përmbledhje e veprave të kompozitorit Kaccaturian.

Me një repertor të përzgjedhur me kujdes dhe që u duartrokit gjatë nga artdashësit vendas dhe të huaj që mbushën arenën e Amfiteatrit Antik, ky rrugëtim artistik i orkestrës rinore do të vijojë nëpër Ballkan për t’u mbyllur në Gjermani.

Top Channel