Detaje të reja janë bërë me dije në lidhje me arrestimet e bujshme, të fundit nga SPAK ditët e fundit.
Gazetarja Dorjana Bezat bën me dije se ditën e sotme në orën 10:00 ka nisur në GJKKO seanca për masat e sigurisë në lidhje me të arrestuarit, por avokatët e tyre kërkuan më shumë kohë për t’u njohur me aktet, ndaj pritet të rinisë sërish në orën 12:00.
Ndërkohë janë zbardhur rolet e “peshqve” që ranë në “rrjetën” e SPAK gjatë këtij megaoperacioni.
Mësohet se biznesmeni Pëllumb Gjoka akuzohet për krijimin e kushteve për vrasjen e Gjin Boriçit dhe kushteve për vrasjen e Klenth Musabelliut.
Këto kushte i krijoi bashkë me Dorian Dhullen, Ibrahim Licin dhe Genc Tafilin.
Ai gjithashtu akuzohet për korrupsion ndaj gjyqtarëve pasi ka penguar prokurorin Xhevahir Lita për lirimin e Behar Bajrit.
Ndërkohë, shoferi i Pëllumb Gjokës, Edmomd Preka, akuzohet për vrasjen e Gjin Boriçit dhe krijimin e kushteve për vrasjen e Kleanth Musabellit, pasi e gjurmonte dhe fotografonte. Ai akuzohet gjithashtu edhe për armëmbajtje pa leje.
Asmer Bilali akuzohet për sigurimin e kushteve të vrasjes së Dorian Dhules, Ibrahim Liçit dhe Genc Tafilit.
Ish-polici Ardit Hasanbega, ishte gjithashtu pjesëmarrës në sigurimin e kushteve për vrasjen e Dorian Dhules dhe Ibrahim Liçit.
Oltion Bistri akuzohet për shpërdorim detyre dhe zbulim të akteve sekrete, pasi dyshohet se komunikoi me Pëllumb Gjokën, të cilit i ka dhënë direktiva për mbylljen e lokalit të lojërave të fatit të kryeqytet.
Xhevahir Lita akuzohet për korrupsion pasi ka marrë para për të liruar Behar Bajrin.
Top Channel