Për të gjithë të dashuruarit pas natyrës dhe sporteve ekstreme, lundrimet me kajakë në ujërat shqiptare janë kthyer në opsione tepër të preferueshme apo të kënaqshme.
Por këtu nuk kemi parasysh vetëm ujërat e kaltra të detit Adriatik dhe Jon, por lumenjtë dhe specifikisht Vjosën, i cili me marrjen e statusit zonë e mbrojtur si lumi i vetëm i egër në Evropë, ka tërhequr një numër të madh turistësh.
Në një lidhje live nga Vjosa për “Top Talk”, themeluesi i rafting në Shqipëri, Zamo Spathara ka zbuluar se udhëtimet me kajak në Grykën e Këlcyrës janë trendi i ri për turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë, interesi i të cilëve është rritur së tepërmi me shpalljen e Vjosës Park Kombëtar.
Ajo çka ata janë të interesuar, thotë Spathara, është eksplorimi i Vjosës nga Tre Urat, vendi ku lumi hyn në kufirin shqiptar, dhe deri në derdhje; ku falë guidës profesioniste është një udhëtim që nuk përbën rrezik.
Pjesë nga biseda:
Xhokaxhi: Ku jeni tani? Jeni në Grykën e Këlcyrës apo jo?
Spathara: Ne jemi në Grykën e Këlcyrës me një grup anglez, ata na sjellin çdo fundjavë nga një grup me rreth 25 persona. Në kemi një produkt të ri që po iu ofrojmë turistëve të huaj, është Gryka e Këlcyrës deri në Peshtan, plus rafting…
Xhokaxhi: Deri në Peshan? Andej nga Peshtani ka pasur zjarre këto ditë.
Spathara: Jo, bëhet fjalë për Peshtanin e Tepelenës sepse ka disa Peshtan.
Xhokaxhi: Spathara më thuaj ka shumë interes për kajakët, rafting? Rafting nuk bëni më në këtë periudhë apo jo?
Spathara: Jo, ne rafting tani bëjmë në Vjosë. Në kanionin e Osumit nuk shkojmë më sepse niveli i lumit tani ka rënë dhe ne bëjmë eksplorim kanioni. Kurse në Vjosë, ke gjithë vitin para, në çdo sezon mund ta bësh sepse Vjosa të jep mundësinë të lundrosh. Ndërkaq, Gryka e Këlcyrës të jep një adrenalinë, një kënaqësi të jashtëzakonshme që t’i ta përshkruash me kajak. Deri këtu nuk ka rrezik, puna asistohet nga guida profesionale. Është një produkt shumë i fortë që po pëlqehet shumë nga turistët e huaj dhe janë rritur kërkesat. Kështu që ne jemi në shërbim të personave që vijnë.
Xhokaxhi: Spathara, ti je në kajak në këto momente apo jo? Tani sa i përket Vjosës, a është shtuar ndopak interesi që nga momenti që u shpall park kombëtar, është lum i mbrojtur dhe lum i egër i vetëm në Evropë?
Spathara: Po, po, po. Ka një kërkesë të jashtëzakonshme nga shumë turistë të huaj. Sidomos për eksplorimin e Vjosës ne kemi pasur shumë grupe që nisemi nga Tre Urat, vendi ku hyn në kufirin shqiptar Vjosa dhe deri në derdhje. Ne bëjmë qëndrime, duke mos dalë kurrë nga lumi. Bëjmë furnizime me çanta që na furnizojnë kështu nga bregu. Ka shumë turistë që duan ta përshkruajnë Vjosën me kajak.
Top Channel