Putin i thotë liderëve afrikanë: Rusia do t’ju japë grurë falas (fotot)

27/07/2023 17:53

Teksa Rusia mban samitin e liderëve afrikanë në Shën Petersburg, ka ende zemërim për tërheqjen e deklaruar të Moskës nga marrëveshja e grurit të Ukrainës.

Kjo duket se ka bërë që presidenti Vladimir Putin t’i thoshte liderëve të vendeve afrikane se do t’ju japë si dhuratë mijëra ton grurë falas, megjithë sanksionet e Perëndimit, për të cilat ai tha se po veshtirësonin shitjen e grurit dhe fertilizuesve rusë.

Duke folur në samitin e Shën Petersburg kushtuar lidhjeve ruso-afrikane, Putin tha se Rusia pret të korra të mira drithërash këtë vit dhe është e gatshme të zëvendësojë eksportet e Ukrainës drejt Afrikës, si në bazë komerciale ashtu deh ndihme, teksa shtonte se konsideronte privilegj rolin e Moskës në sigurinë botërore ushqimore.

“Ne jemi gati të furnizojmë Burkina Faso, Zimbabve, Mali, Somalia, republikën Qendrore Afrikane dhe Eritrean me 25 deri në 50,000 ton grurë falas, secilën, në tre katër muajt e ardhshëm”, tha Putin në samit ndaj së cilës pjesëmarrësit reaguan me duartrokitje.

Duke reaguar ndaj kritikave për tërheqjen nga marrëveshja e eksportit të grurit ukrainas në Detin e Zi, Putin përsëriti se Moska u largua prej saj sepse nuk kishte marrë asnjë përgjigje për premtimet e lehtësimit të eksportit të grurit e fertilizuesve rusë.

Në event pritet të nënshkruhen disa marrëveshje të rëndësishme, dhe vjen pas samitit të parë Rusi-Afrikë të zhvilluar në 2019 si pjesë e fushatës së influencës, në kontinentin ku mercenarët e grupit Wagner mbeten ende aktivë në shërbim të Kremlinit, megjithë rebelimin e tyre të bujshëm muajin e kaluar.

Putin tha gjithashtu në samit se më shumë se 70 përqind e grurit të Ukrainës është eksportuar tashmë, duke shkuar drejt vendeve me të ardhura të larta e të mesme, duke përmendur se vende të varfra si Sudani kishin marrë vetëm rreth 3 përqind të dërgesave.

Ai shtonte se prej sanksioneve të luftës, Rusia po ndalohet të eksportojë fertilizues falas për vendet e varfra.

“Një panoramë paradoksale po del në horizont, vendet perëndimore po pengojnë shpërndarjen e grurit e fertilizuesve tanë, dhe nga ana tjetër në menyrë hipokrite na fajësojnë për situatën aktuale në tregun botëror të ushqimeve,” tha Putin.

Rusia tha se samit u paraqitën 49 nga 54 shtetet e kontinetit afrikan, 17 prej të cilave me krerët e shteteve të tyre.

Zyrtarëve afrikanë iu ofruan gjithashtu vizita në pallatet mbretërore ruse dhe një ndeshje futbolli mes “futbolistëve legjendë” ruse e afrikanë”.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA