Festivali britanik mbledh figura të njohura ‘konspiracionistësh’ në diskutimet për kontrollin mendor, 11 Shtatorin, vaksinat Covid (fotot)

24/07/2023 21:51

Festivali më i njohur anti-stabiliment në Sussex në jug të Britanisë ka mbledhur dje disa nga ‘konspiracionistët’ më të njohur në Perëndim teksa në eventin familjar u diskutua sesi disa nga sulmet më të tmerrshme të shekullit të 21-të ishin të inskenuara.

Festivali muzikor i lirisë “Freedom Music Festival”, ishte reklamuar si një event familjar por përfshinte aktivistin e njohur anti-vaksina David Icke, që u tha të pranishmëve, përfshi dhe fëmijë, se sulmet terroriste të 7 Shtatorit në Londër, ato të 11 Shtatorit në New York, ishin të inskuenuara nga vetë qeveria, ndërsa vrasja e presidentit John F Kennedy ishte e rreme.

Folës të tjerë të kësaj tematike pretendonin se vrasja e ushtarakut britanik Lee Rigby, nga ekstremistë islamistë në vitin 2013, ishte gjithashtu e rreme.

Rrjeti Daily Mail shkruante se Michael Manoel Chaves, i cili mburret online si një nga konspiracionistët “më të fortë” në Britani, tha se vrasja e Rigby ishte e inskenuar për të mbjellë terror dhe nxitur axhendën qeveritare të luftës ndaj ISIS.

Chaves, gjithashtu aktivist anti-vaksina, tregonte për turmat foto të masakrës së shkollës së Sandy Hook në SHBA dhe sulmet e 7 Shtatorit në Londër, duke insistuar se viktimat ishin vrarë nga qeveria, ndërsa të tjerët ishin aktorë të paguar që merrnin pjesë shpesh në ngjarje dramatike të inskenuara, shkruan Daily Mail.

Prezantimi kryesor i festivalit të së dielës ishte konspiracionisti David Icke, i cili u tha turmave entuziaste se bota drejtohet nga një kabalë (rreth i errët entitetesh) alienësh zvarranikë, shton rrjeti The Times.

Në event ishte gjithashtu australiania e njohur anti-qeveritare, anti-vaksina Monica Smit, që ka organizuar protesta të shumta kundër izolimeve në vendin e saj. Ajo i tha qytetarëve sesi ishte bllokuar nga të gjitha rrjetet sociale.

Të tjerë folës në festival portretizonin aktet e guximshme të denoncuesve të famshëm të krimeve qeveritare si Edward Snowdon e Julian Assange, si dhe autorin e librit “Lufta e Paqja” Leo Tolstoy, me citime provokative si: “Qeveritë jo vetëm që nuk janë të nevojshme, por janë institucione të dëmshme dhe shumë imorale”.

Eventi ishte organizuar nga grupi i djathtë ‘Hope Sussex’ – që po hetohet nga autoritetet britanike për ngritjen e një shkolle ilegale ku fëmijëve u mësohet vetëmbrojtja, përdorimi i shpatës, harkut, dhe ideve të luftës ndaj shtetit.

Organizata insiston se nuk është shkollë por qendër komunitare që plotëson arsimin e fëmijëve me “mësues që mendojnë në mënyrë kritike”.

Hope Sussex thotë se mësimi i fëmijëve si të përdorin harkun është pjesë e historisë, sipas zëdhënësit William Coleshill, ish-politikan konservator brtianik, i përjashtuar për “racizëm dhe protesta ilegale”.

Shkolla raportohet se u mëson fëmijëve se “sulmet mbi kullat binjake në SHBA ishin një inskenim i organizuar nga qeveria e SHBA”, dhe se antenat 5G kanë efekte të rënda në shëndetin njerëzor, megjithëse shkencëtarët thonë të kundërtën.

Mes themeluesve të shkollës është gjithashtu Sadie Single, e përjashtuar nga partia radikale britanike BNP për lidhje neo-Naziste në Australi – një pretendim që mohohet nga Hope Sussex.

Edhe bashkëshorti i saj Matthew Single, ish anëtar i BNP ka qenë nga zërat më të fortë anti-qeveritarë, teksa thotë: “Ata tani duan fëmjët tanë, duhet të përgatitemi të lëmë çdo rehati për të protestuar e demonstruar kundër axhendës së tyre, me veprime specifike.

Daily Mail tha se nuk ka marrë ende shpjegime për informacione nga Hope Sussex.

FOTO GALERI
3/7
Në event ishte gjithashtu australiania e njohur anti-qeveritare, anti-vaksina Monica Smit, që ka organizuar protesta të shumta kundër izolimeve në vendin e saj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA