Banorë të dëmtuar nga tërmeti 26 nëntorit i janë kthyer protestave për procesin e rindërtimit në Durrës.

Paraditen e së hënës një grup banorësh të një pallati të rindërtuar në lagjen nr.7 kanë protestuar para bashkisë së Durrësit, pasi ende  qëndrojnë në banesa me qira dhe po përballen me vështirësi të shumta ekonomiko-financiare.

Banorët ankohen se edhe pse i janë nënshtruar shortit për ndarjen e apartamenteve nuk kanë marrë as çelësat e shtëpisë dhe prej 4 muajsh as bonusin e qirasë.

Top Channel u interesua pranë bashkisë së Durrësit ku na u bë me dije se ky institucion është në pritje të procesit të dorëzimit të objektit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Katër vjet pas tërmetit në Durrës vijojnë të trajtohen me bonus qiraje rreth 2400 familje.

Top Channel