Lugina e lumit të Kirit, gjendet pak kilometra larg qytetit të Shkodrës, në drejtim të Dukagjinit.
Vitet e fundit ka filluar të tërheqë edhe turistet e huaj, të cilët befasohen nga bukuria natyrore e ndërthurur edhe me historinë e kësaj zone që nis nga ura e Mesit.
“Është shumë e bukur, duket historike. Përpara se ta lexoja informacionin, mendoja se ura është shumë më e vjetër. Është diçka interesante”, tha një turiste e huaj.
“Shumë e bukur. Është hera e parë që vijmë në Shqipëri dhe gjithçka është e bukur. Vizituam liqenin e Shkodrës që ishte fantastik dhe tani u ndalëm tek kjo urë otomane, historike. Është një mrekulli që është ende në këmbë”, tha një tjetër turist.
Inxhinierin gjerman, Martin Starz e gjejmë me një thes në dorë duke mbledhur mbeturinat. Prej 1 jave, ai po qëndron me familjen e tij në kamper duke shijuar qetësinë e zonës dhe lumin.
“Kjo është ajo çfarë ne mblodhëm në dy dite, nga mbetjet që lanë njerëzit këtu. Letra, shishe, mbeturina të shumta pasi vijnë për piknik këtu dhe largohen. Unë kam një apel: Shqipëria është një vend fantastik. Mësoni si ta mbani pastër sepse vendi bëhet edhe më i bukur. Ju vini për ta shijuar prandaj merrini mbetjet tuaja me vete sepse nesër duam ta shijojmë edhe ne”, u shpreh ai.
Operatoret turistik kanë investuar për t’iu përgjigjur fluksit të turisteve por sipas tyre, kapacitetet që ka zona, nuk janë promovuar siç duhet.
Nëse dëshironi një paketë turistike, duke shijuar natyrën, me malet, lumin ajrin e pastër dhe të jeni vetëm 30 minuta larg qytetit të Shkodrës, atëherë duhet të vizitoni luginën e Kirit.
Top Channel