Dy pjesëtarë të akuzuar si pjesëtarë të një rrjeti kriminal, për prodhimin, shitjen dhe trafikimin e llojeve të ndryshme të drogave dhe të shpallur në kërkim, janë vënë në pranga.

Si rezultat, u ndaluan M. B., 35 vjeç dhe M. K., 34 vjeç, të dy banues në Elbasan. Për këta persona, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Të dy këta të arrestuar akuzohen se janë pjesëtarë të një rrjeti kriminal për prodhimin, shitjen dhe trafikimin e llojeve të ndryshme të drogave, veprimtari kriminale e cila u godit nga Policia e Elbasanit, më datë 29 qershor 2023, në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë të koduar “Rrjeti”.

Për këtë megaoperacion janë vënë në pranga 54 shtetas në total, si dhe janë sekuestruar sasi dhe doza të drogave të ndryshme, armë zjarri, municion luftarak, armë të ftohta dhe shuma të mëdhaja parash në valuta të ndryshme.

“Shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe ato të Komisariatit të Policisë Elbasan kanë vijuar të ushtrojnë kontrolle në të gjithë qarkun, për të kapur dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë shtetasit e shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë të koduar “Rrjeti””, thuhet në njoftimin e policisë.

Vijon puna për kapjen e 3 shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA