Impiantet e shkripëzimit po ofrojnë ujë të pijshëm, thelbësor për banorët e Barcelonës, të lodhur nga thatësira.

Por ekspertët paralajmërojnë se teknologjia është e shtrenjtë dhe se duhet të zhvillohen burime të tjera uji. Vija bregdetare e Barcelonës është tërheqëse për turistët dhe vendasit.

Por edhe pse uji është ngado që të sheh, qyteti është mbërthyer nga thatësira. Për Mohammed Ilaiwi, i cili kohët e fundit u transferua në Barcelonë, qyteti nuk ishte ashtu siç ai e imagjinonte.

“Jam habitur sepse është një qytet turistik dhe të gjithë vijnë këtu për t’u argëtuar, por nuk ka ujë. Kështu që është disi zhgënjyese”, thotë ai.

Por qyteti i dytë i Spanjës po përdor teknologjinë për t’i mbijetuar thatësirës.

Barcelona tani mbështetet në një rrjetë me tuba jeshile, blu dhe vjollcë brenda një fabrike industriale për të shkripëzuar ujin e detit.

Impianti më i madh i shkripëzimit në Evropë për ujin e pijshëm po funksionon me shpejtësi të plotë për të ndihmuar zonën më të madhe të Barcelonës dhe rreth pesë milionë banorët të përshtaten me ndikimin e ndryshimeve klimatike.

“Gjatë viteve të para, nivelet e prodhimit ishin të ulëta, sepse rezervuarët ishin plot me ujë. Kështu që kishim mjaft burime natyrore. Por në dy vitet e fundit, sidomos nga viti i kaluar, janari 2022, niveli i prodhimit ka qenë shumë i lartë sepse jemi në një thatësirë prej shumë muajsh. Prandaj, për të plotësuar mungesën e ujit në rezervuarë kemi rritur prodhimin e këtij impianti”, thotë Carlos Miguel, menaxher i uzinës së shkripëzimit të Llobregatit.

Rajoni i Mesdheut po nxehet me një ritëm më të shpejtë se shumë zona të tjera të globit, duke çuar në një vit të nxehtë rekord në Spanjë në 2022-shin dhe një thatësirë të përhapur që po dëmton bujqësinë.

Autoritetet parashikojnë se zona e Barcelonës po shkon drejt një “emergjence thatësire”, e cila do të nënkuptojë kufizime më të forta, deri në shtator.

Impiantet e shkripëzimit janë një mënyrë për të trajtuar krizën.

Uji pompohet dy kilometra në brendësi të detit Mesdhe dhe çohet deri në impiantin e shkripëzimit të Llobregatit, në një zonë të izoluar plazhi.

Kapaciteti i shkripëzimit është rritur në mënyrë të vazhdueshme në mbarë botën në dekadën e fundit, me teknologjinë që po përdoret gjithnjë e më shumë në Evropë dhe Afrikë.

“Tani po prodhojmë 180 mijë metra kub ujë në ditë, që është kapaciteti maksimal që mund të mbajmë për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, thotë zoti Miguel.

Në prill 2021, para thatësirës, lumenjtë siguronin 63% të ujit të pijshëm të Barcelonës, burimet siguronin 34% dhe shkripëzimin vetëm 3%.

Procesi i shkripëzimit kërkon gjithashtu shumë energji që ende nuk vjen tërësisht nga burimet e rinovueshme.

Xavier Sánchez-Vila, profesor i inxhinierisë civile dhe ekspert i ujërave nëntokësore për Universitetin “Politecnica de Catalunya”, thotë se ndërsa impiantet e shkripëzimit si ai në Barcelonë kanë ofruar një shpëtim në një kohë krize, autoritetet duhet të vazhdojnë të diversifikojnë strategjitë e tyre dhe të përqëndrohen në përmirësimin e pastrimit të ujit dhe ripërdorimit të tij.

“Ka zgjidhje të tjera. Për mendimin shkripëzimi duhet të përdoret vetëm për nevojat shumë, shumë thelbësore, si për të sjellë ujë për popullsinë. Sepse ka burime të tjera uji që mund të përdoren. E rëndësishme është rigjenerimi, ripërdorimi dhe riciklimi. Në aspektin ekonomik, nuk jam plotësisht i sigurt nëse ka kuptim të vazhdojmë t’i ndërtojmë ato. Ndoshta edhe disa, por duke e ditur që këto janë një zgjidhje vërtet e shtrenjtë”.

Por problemi më urgjent për planetin është energjia e përfshirë në shkripëzimin.

Spanja prodhoi 42% të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të energjisë në vitin 2022 dhe shpreson të arrijë në 50% këtë vit, por ende përdor sasi të mëdha gazi natyror.

Energjia elektrike e prodhuar nga panelet diellore në impiantin e Llobregatit shkon në rrjetin elektrik, jo drejtpërdrejt në funksionimin e impiantit./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA