Varkat iu bllokuan nga policia/ Operatorët e liqenit të Komanit dhe lumit të Shalës takojnë kryebashkiakun, Shkreli: Problemin do ta çoj te kryeministri

13/07/2023 14:02

Një ditë pas aksionit të policisë që pezulloi disa varka artizanale që nuk përmbushnin kriteret e sigurisë dhe nuk ishin të pajisura me dokumentacionin përkatës, reagojnë operatorët turistikë të liqenit të Komanit dhe lumit të Shalës.

Ato kanë zhvilluar mesditën e kësaj të enjte një takim me kryebashkiakun e Vau Dejës, Kristian Shkreli, duke i kërkuar zgjidhje dhe të mos pengohen në punën e tyre në mes të sezonit turistik. Sipas tyre, varkat plotësojnë kushtet e sigurisë dhe me bllokimin e tyre po dëmtojnë ekonominë e shumë familjeve…

Nga ana tjetër, Shkreli tha se nuk ka qenë në dijeni të aksionit të policisë dhe problematikën do e dërgojë te kryeministri Edi Rama.

“U njoftova dje për këtë problematikë, ne si bashki nuk kemi qenë në dijeni të këtij veprimi. Unë komunikova direkt me të deleguarin politik, me drejtuesin e qarkut dhe më siguruan që motorët që janë marrë mbrëmë, do të kthehen mbrapsht. Por, kanë disa kushte, sepse Ministria e Mjedisit ka ndërmarrë këtë veprim, pasi varkat janë të pakualiduara dhe kjo nuk është në kompetencat e bashkisë së Vaut të Dejës. Unë kam për detyrë që problematikën tuaj ta çoj deri te kryeministri”.

Një ditë më parë, policia e Shkodrës bllokoi 13 varka artizanale dhe 1 traget me arsyetimin për mos plotësim të kushteve të sigurisë.

Top Channel