“Lundrim i sigurtë”/ Vozisnin pa zbatuar kriteret e sigurisë, merren masa për 46 mjete në Koman dhe lumin e Shalës

13/07/2023 17:50

Policia vijon aksionin ndaj varkave artizanale që nuk përmbushnin kriteret e sigurisë dhe nuk janë të pajisura me dokumentacionin përkatës në liqenin e Komanit dhe lumin e Shalës.

Në ditën e dytë të operacionit policor të koduar “Lundrim i sigurtë”, që po zhvillohet nga Policia Kufitare e Shkodrës, DVP Shkodër, FNSH Shkodër dhe Delta Forcë, në bashkëpunim të ngushtë më Drejtorinë e Përgjithshme Detare, autoritetet bëjnë me dije se është pezulluar puna për 46 mjete lundruese mes të cilave tragete, skafë dhe varka artizanale, pasi lundronin në cenim të kritereve të sigurisë, duke mos pajisur pasagjerët me jelekë shpëtimi gjatë transportit ditor, për qëllime turistike, të vizitorëve në këto vende.

Si pasojë, policia po kryen verifikimet e nevojshme për marrjen e masave penale dhe administrative ndaj pronarëve/poseduesve të këtyre mjeteve, që kapen në paligjshmëri. Si dhe vijon sekuestrimi i motorëve të varkave artizanale që nuk përmbushin kushtet dhe parametrat e sigurisë.

Më herët, gjatë ditës së sotme operatorët turistikë të liqenit të Komanit dhe lumit të Shalës kanë reaguar ashpër për këtë “padrejtësi”, sipas tyre, që iu bëhet në mes të sezonit turistik. Gjatë një takimi me kryebashkiakun e Vau Dejës, Kristian Shkreli, ata theksuan se varkat plotësojnë kushtet e sigurisë dhe me bllokimin e tyre, policia është duke u dëmtuar ekonominë shumë familjeve.

Nga ana tjetër, Shkreli tha se nuk ka qenë në dijeni të aksionit të policisë dhe problematikën do e dërgojë te kryeministri Edi Rama.

Vlen të theksohet se, operacioni “Lundrim i sigurtë” është i treti që po zhvillohet përgjatë këtij viti, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme Detare, pas 2 operacioneve sensibilizuese dhe informuese, të zhvilluara në muajin shkurt dhe në muajin maj, ndaj subjekteve ekonomike që ofrojnë shërbimin e lundrimit, në të gjitha hapësirat ujore të vendit.

“Qëllimi i vetëm i këtij operacioni është siguria e jetës së turistëve dhe vizitorëve, dhe jo penalizimi i operatorëve ekonomikë që e ofrojnë shërbimin e lundrimit konform ligjeve dhe duke përmbushur plotësisht standardet e sigurisë”- thuhet në njoftimin e policisë.

Policia e Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme Detare apelojnë sërish, për të gjithë operatorët ekonomikë që ofrojnë shërbimin e lundrimit, në hapësirat liqenore, lumore dhe detare që të pajisen me dokumentacionin përkatës, konform ligjit, si dhe të përmbushin kriteret për sigurinë e pasagjerëve, siç është pajisja e pasagjerëve me jelekë shpëtimi.

Gjithashtu, Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë çdo indicie për paligjshmëri në këtë fushë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA