Çështja “Ahmetaj”/ Ish-prokurori për investigimet e Top Channel: I dhatë prova të forta SPAK për abuzimet e inceneratorëve

13/07/2023 21:33

Në një kohë kur SPAK është “një hap” pranë arrestimit të ish-zv.kryeministrit dhe ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, për implikimin e fort në çështjen e inceneratorëve, ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci ka risjellë në kujtesë punën e shkëlqyer të Top Channel në investigimin e një prej “arkitektëve” dhe përfituesve kryesorë në koncesionet e inceneratorëve.

I ftuar në “Top Story”, Beci vuri në dukje se si vullneti i hekurt i disa gazetarëve kurajoz, ndryshoi rrjedhën e hetimeve për një “çështje të nxehtë”, sikurse përfshirja e numrit dy të qeverisë në afera korruptive me një dëm kolosal qindra – miliona euro për ekonominë e vendit.

Sipas Becit, pavarësisht presionit politik pasi bëhej fjalë për hetimin e një zyrtari të lartë, Top Media mundi të jepte “shumë informacione, shumë indiciembi aferën e inceneratorëve në shërbim të opinionit publik, saqë “edhe vetë SPAK në nisje të hetimeve kërkoi bashkëpunimin e saj”. Gabimi më i madh pas impaktit që pati zbardhja e aferës, në optikën e ish-prokurorit të Krimeve të Rënda, ishte copëzimi i çështjes së inceneratorëve në disa grupe hetimi, duke zvarritur procesin dhe krijuar “një mungesë totale të koordinimit” mes hetuesve.

“Fakti që u copëzua përveçëse përbënte një lloj frike për t’u përballur, sepse në çdo akt në atë dosje do të kishte emrin e një ministri të lartë, tregoi edhe mënyrën se si SPAK-u dhe në përgjithësi organi i drejtësisë në këtë rast po tentonte të maste opinionin publik. U arrestuan disa persona dhe rastin se do të rritej presioni i opinionit publik, do të kishim një dosje tjetër të veçuar.

Presioni publik, nëse flasim për rastin e Top Channel, u rrit përmes medies. Sepse aty u shfaq vullneti i opinionit publik (në media). Edhe për vetë mediet në përgjithësi presioni filloi me të gjitha format. Mirëpo, një gjë duhet ta themi me plotë gojën; Top Media ka dhënë shumë lajme, shumë informacione, shumë indicie sa i përket situatës së ish zv. kryeministrit. Dhe këtë nuk mund ta mohojë askush. Edhe vetë SPAK ka kërkuar bashkëpunim me Top Median për marrjen e informacioneve të para kur filloi hetimi për rastin e Ahmetaj.

Mirëpo, copëzimi i çështjes nuk solli asgjë më shumë sesa një zvarritje të hetimit dhe një mungesë totale të koordinimit të veprimeve të grupit hetimor. Është më mirë të kesh një grup hetimor të përmbledhur që do të vlerësoj provat, mënyrën dhe strategjinë e hetimit sesa copëzime në grupe të ndryshme hetimore që njëri nuk di se çfarë bën tjetri. Dhe në përgjithësi kjo pastaj sjell rezultatin që u dha në një prej seancave të para të inceneratorëve, ku gjykata tha: – Fakti penal i paraqitur nga Prokuroria është i paqartë.”- tha Beci.

Ish-prokurori ka vënë në dukje rëndësinë e Top Channel dhe medies në përgjithësi, në hetimin e thellësishëm të dosjes Ahmetaj. Sipas Becit, pushteti i katërt “luftoi” fort përballë presionit të “jakave të bardha” dhe i dha prova të pakontestueshme SPAK për abuzimet e inceneratorëve.

“Përsa i përket korrupsionit të lidhur me krimin e organizuar, unë mendoj se jo vetëm korrupsioni kërkon krimin e organizuar, por sipas studimeve edhe krimi i organizuar kërkon patjetër zyrtarë të lartë, zyrtarë të cilët do ta ndihmojnë atë në përpjekjen e tij në fushë. Përsa i përket SPAK-ut kam përshtypjen se të gjitha ato që ju rreshtuat janë të prekura nga pak. Duket se ka qenë vështirësi e marrjes së provave sa i përket dosjes së inceneratorëve, për vetë personazhet që shfaqeshin aty. Mirëpo, kësaj vështirësie të marrjes së provave nga SPAK-u iu kundërvu media, juve posaçërisht, dhe më pas medie të tjera që i paraqitët me forcë SPAK-ut prova që e detyruan Prokurorinë e Posaçme të tërhiqej.

Ishin disa prova që u paraqitën në fillim nga media, kemi kallëzime nga gazetarët, kemi artikuj, kemi kronika pa fund, të cilave iu referua SPAK-u në hetimet e tij për të vazhduar thellimin e çështjes. Por, kjo dosje krahas zvarritjes dhe vështirësisë së sigurimit të provave – flasim gjithmon në pikëpamje të presioneve që mund të kenë ardhur për shkak të paprekshmërisë profesionale, për shkak të rëndësisë së personazheve që janë të lidhur me këtë çështje – duhet pasur parasysh diçka: Prokurorët e SPAK-ut janë vendosur përballë një presioni që edhe një kqyrje të thjesht telefoni, një kontroll të thjesht banese, apo një kqyrje të thjesht të një dokumenti, do të gjenin patjetër zv. ministrin e lartë.

Në këtë mënyrë, presioni edhe po të mos bëhet, vjen vetëvetiu në Shqipëri nisur nga historiku i 32 viteve mosndëshkim i zyrtarëve të lartë. Përveç kësaj, dosja e inceneratorëve në kuadër të ecurisë dhe dinamikës së hetimit, ku në të tilla raste ishte i nevojshëm një hetim i gjithanshëm, pati probleme që filluan që në fillesën e hetimit dhe të regjistrimit të procedimit penal. U copëzua, u parcelizua, një incinerator këtu, një këtje. Një personazh këtu, një këtje”- tha Beci.

Deklaratat e ish-prokurorit të Krimeve të Rënda u konfirmuan nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha. Për “Top Story”, Hoxha zbuloi se pas denoncimit publik të Ahmetajt në emisionin investigativ “Inside Story”, oficerët e BKH-së zbarkuan në Top Channel dhe morën dokumente të rëndësishme në shërbim të çështjes.

“Në shtator 2022 prokurorët e veçuan çështjen e Ahmetajt për shkak të vonesave në akt ekspertize në kompjuterin e Zotos, i cili është ajo magazina e gjurmëve të mëdha. Aty u gjet gjithë kutia e zezë e kontakteve edhe para vitit 2013 të Ahmetajt me biznesmenët e inceneratorëve. Denoncimi publik i “Inside Story”, i Top Media… U krye një investigim skrupuloz nga gazetarët, të cilët gjurmuan pasuritë e Ahmetajt, për vilën në Hamallaj dhe të nesërmen në Top Channel mbërriti skuadra e oficerëve të BKH-së, të cilët morën dokumente të rëndësishme dhe në vilën në Hamallaj u gjet një telefon “Blackberry” i cili ishte i fikur. Ata rikthyen çdo komunikim të mundshëm të këtij telefoni”– tha Hoxha.

Emisioni investigativ “Inside Story”, përmes një ekskluzive 9 shkurtin e 2023-shit, hodhi dritë për herë të parë mbi fakte që tregonin se si ish-zv. kryeministri Arben Ahmetaj kishte përfituar prona me vlerë qindra mijëra – euro nga të dyshuarit e inceneratorëve. Shkresat dhe transaksionet e zbuluara gjatë punës së ekipit investigativ vërtetonin se si Ahmetaj kishte siguruar një vilë luksoze në bregdetin e Lalzit nga biznesmeni Klodian Zoto, pronë e cila rezulton në emrin e bashkëjetueses së Ahmetajt, zonjës Erjola Hoxha.

Prokuroria e Posaçme i kërkoi Kuvendit tre ditë më parë dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-ministrit Arben Ahmetaj. SPAK deklaroi se ka mbledhur prova që tregojnë se ish-ministri i Financave në gjashtë raste ka kryer korrupsion. Shembulli më korruptiv dhe flagrant lidhet me gjurmët e mbetura në kompjuterin e Klodian Zotos, person në kërkim për aferën e inceneratorëve, i cili dyshohet se i pagoi Ahmetajt dhe bashkëshortes së tij udhëtime në disa shtete. Pesë rastet e tjera të korrupsionit mbahen sekret nga SPAK pasi ka edhe persona të tjerë nën hetim.

Në letër-porositë e ndërkombëtarëve por edhe llogaritë bankare, Prokuroria e Posaçme thotë se nga udhëtimet, Arben Ahmetaj përfitoi 34 mijë euro. Kjo ishte gjurma e parë që u bë shkak që SPAK ta veçonte deputetin Ahmetaj, asokohe numri dy i qeverisë, nga dosja 277 thënë ndryshe inceneratori i Elbasanit, duke e ndarë në fraksion më vete. Arben Ahmetaj dyshohet gjithashtu nga SPAK për veprime të dyshimta për të tre inceneratorët. Akuza tjetër lidhet me fshehjen e pasurisë, dhe hetimi bazohet në sekuestrimin preventiv ndaj dy vilave, njëra në Palasë dhe tjetra në Hamallaj.

PS dhe PD i kanë hapur rrugë shprehimisht Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e ish-numrit dy të qeverisë Rama për implikimin në çështjen e inceneratorëve. Ditën e nesërme pritet miratimi nga Kuvendi i raportit të Këshillit të Mandateve për heqjen e imunitetit të deputetit të Arben Ahmetajt, dhe dhënë kështu “dritën jeshile” SPAK që të procedoj me arrestimin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA