Pa kaluar shumë orë nga investigimi i emisionit ‘Inside Story’ në të cilin u ekspozuan dokumenta exclusive ndaj Arben Ahmetaj, SPAK ka zgjeruar hetimet duke urdhëruar administrimin e tyre si prova.

Burime shumë të sigurta konfirmojnë se këto shkresa dhe prova të transmetuara në TCH do ti bashkangjiten veprimeve hetimore të SPAK që po hedh dritë mbi rolin e ish-ministrit të Financave e më pas ish-zëvendës kryeministrit, në çështjen e inceneratorëve.

Në emisionin Inside Story investigimi tregoi për herë të parë për fakte që tregojnë se si ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka përfituar prona me vlerë qindra mijëra euro nga të dyshuarit e inceneratorëve.  Shkresat dhe transaksionet vërtetojnë se si Ahmetaj ka siguruar një vilë luksoze në bregdetin e Lalzit nga biznesmeni Klodian Zoto.

Prona rezulton në emrin e bashkëjetueses së Ahmetajt zonjës Erjola Hoxha. Emailet mes kompanisë ndërtuese dhe biznesmenit Zoto, vërtetojnë se ishte pikërisht ky shtetas porositësi i vilës në fshatin turistik.

Ahmetaj, si përfitues i vërtetë, ishte fshehur pas një kontrate noteriale të nënshkruar nga një prej miqve të tj më të afërt. Përmes një tjetër kontrate shit-blerje, vila kalon në emrin e bashkëjetueses së Ahmetajt. Faktet e reja të publikuara në Inside Story  provojnë implikimin e fortë të Ahmetajt në çështjen e inceneratorëve.

Top Channel