SPAK prangat gati për Ahmetajn, paralajmëron Karamuço: Të tjerë politikanë majtas e djathtas do përballen me akuza

10/07/2023 20:12

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço paralajmëron se pas Arben Ahmetajt, figura të tjera politike majtas dhe djathtas, të cilat ndodhen nën hetim nga Prokuroria e Posaçme do të përballen me akuza.

Për emisionin “Top Talk”, Karamuço tha se lista është shumë e gjatë deri në shtator dhe për shkak se SPAK-u do të arrijë të performojë edhe një lloj balance, do të godasë nga të dy krahët.

Pjesë nga biseda:

Ervin Karamuço: Përpara 10- ditësh ne kemi qenë në këtë emision së bashku me gazetaren Hoxha dhe në të dalë kemi bërë ato parashikimet tona, ku na dilte se për shkak të afatit të parashtrimit ose të mbylljes së këtij sesioni parlamentar, se në mos të gaboj deri më 20 korrik është, SPAK-ut i duhej të lëvizte dhe të shpejtojë punën për të mbyllur disa prej çështjeve që i ka akoma nën hetim, dhe që mund të kërkonte dhe të kishte arrestime konkrete.

Kështu, deri më shtator na dilnin shumë nga këta personazhe, jo vetëm majtas por edhe djathtas, të cilët do të përballen shumë shpejt me akuza të tilla. Të shikojmë në ditët në vijim sepse SPAK-u do që të arrijë të performojë edhe një lloj balance. Pra, do të ruaj një lloj diplomacie organi i akuzës, sepse në fund i thonë që “ju po godisni vetëm këtej, po këtej?”.

SPAK-u do të shoh sesi janë mundësitë sepse ka disa persona që janë nën hetim dhe duhet parë se si do të përfundojnë këto hetime, dhe si do të shkojë çështja në gjykatë.

Juli Xhokaxhi: Mirë, por e thënë kështu Karamuço, duket sikur duhet plotësuar norma dhe kjo nuk është më drejtësi.

Ervin Karamuço: Po, por normalisht SPAK-u përballet krahas opinionit publik, edhe me oponencat që i janë bërë deri më sot nga Kuvendi i Shqipërisë dhe partitë politike. Kështu që, do apo nuk do ai, është në një lloj ekuilibri dhe duhet ta ruaj këtë ekuilibër në zbatim të ligjit.

Po ashtu, kini parasysh që disa nga dosjet që ne i kemi konsideruar para disa vitesh si dosje të nxehta, sot për sot u janë parashtruar afatet. Asnjë prej personave që ne kemi menduar para disa viteve se do të mund të shkonte në burg, nuk do të përballet më me këto akuza dhe i ka shpëtuar burgut përfundimisht.

Nuk më takon mua të them se kush janë dosjet, por disa nga ata i kanë shpëtuar. Tani po flasim për këto që janë nën hetim. Dhe ka shumë dosje që janë nën hetim, plus çfarë po vijnë nga ndërkombëtarët, që ne e kemi thënë herë pas here se janë duke ardhur shkresa, janë duke ardhur referime të cilat do të na bëhen surprizë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA