Pasi e shënjestroi nëntë muaj më parë për inceneratorin e Elbasanit, për Arben Ahmetaj SPAK deklaron se ka mbledhur prova që tregojnë se ish ministri i Financave në gjashtë raste ka kryer korrupsion.
Shembulli më korruptiv dhe flagrant lidhet me gjurmët e mbetura në kompjuterin e Klodian Zotos, një i kërkuar dhe i akuzuar për inceneratorët i cili dyshohet se i pagoi udhëtime në disa shtete, atij dhe bashkëshortes. Pesë rastet e tjera të korrupsionit mbahen sekret nga SPAK pasi ka edhe persona të tjerë nën hetim.
Në letër-porositë e ndërkombëtarëve por edhe llogaritë bankare SPAK thotë se nga udhëtimet, Arben Ahmetaj përfitoi 34 mijë euro.
Kjo ishte gjurma e parë që u bë shkak që SPAK ta veçonte Ahmetaj në atë kohë numri dy i qeverisë nga dosja 277 thënë ndryshe inceneratori i Elbasanit, duke e ndarë në fraksion më vete
Por Arben Ahmetaj dyshohet nga SPAK për veprime të dyshimta për të tre inceneratorët.
Akuza tjetër lidhet me fshehjen e pasurisë, dhe hetimi bazohet në sekuestrimin preventiv ndaj dy vilave, njëra në Palasë dhe tjetra në Hamallaj.
Prokurorët thonë jo zyrtarisht se kanë mbledhur fatura dhe kanë pyetur disa biznesmenë në fushën e arredimit të cilët bëhet me dije se kanë treguar emrin e ish funksionarit. Akuza e tretë për të cilën kërkohet lënia e mandatit të deputetit gjë e cila do të sillte masë sigurie në gjykatën e posaçme, lidhet me një skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave në bashkëpunim, të fituara sipas SPAK nga korrupsioni.
Nëse Këshilli i mandateve i jep dritën jeshile SPAK, që do të sillte arrestimin me vendim gjyqësor nga gjykata e posaçme, një tjetër prokuror i SPAK do të dorëzojë gjithashtu kërkesën për Arben Ahmetajn edhe për çështjen e fabrikës së miellit, e hetuar dhe që gjatë kohës që Arben Ahmetaj ishte në SPAK, ai u pyet edhe për këtë çështje.
Top Channel