Një këmbësor është përplasur për vdekje nga një makinë këtë mbrëmje në Elbasan.

Një mjet tip “Benz”, që drejtohej nga një 34-vjeçar ka përplasur 79-vjeçarin në fshatin Mengel, në aksin rrugor Elbasan-Librazhd.

I moshuari ka ndërruar jetë pasi ka mbërritur në spital. Nuk dihen shkaqet e aksidentit, ndërsa për ngjarjen ka nisur një hetim.

Zona e Labinotit gjithmonë është problematike përsa u përket aksidenteve ku përfshihen këmbësorët. Shkak, fakti që mjetet lëvizin me shpejtësi në këtë rrugë, e cila është segment kombëtar, ndërkohë që përshkon shumë zona të banuara.

Ky është aksidenti i tretë tragjik i kësaj të hëne në vendin tonë.

Më herët, një 74-vjeçar humbi jetën në Cërrik, pasi u përfshi në një aksident me zetor në një rrugë rurale, në fshatin Dëshiran. Shtetasi me inicialet R. Q., po drejtonte mjetin bujqësor, kur ka humbur kontrollin. Zetori e ka zënë poshtë, duke i marrë jetën.

Ndërkohë, gjatë paradites, një tjetër aksident me pasojë vdekjen u shënua në aksin rrugor Lezhë-Shkodër në afërsi të Balldrenit.

Një makinë përplasi një motor dhe për pasojë mbeti i vdekur drejtuesi i motorit 78 vjeç.

Top Channel