Këtë vit në Pogradec krahas sipërfaqes së shtuar të plazheve publike për pushuesit duket se është menduar edhe për personat me aftësi të kufizuar të cilët në shumë pak raste kanë mundësinë të kenë akses në plazhe.
Një hapësirë publike dhe e pajisur me të gjithë elementët për të bërë të mundur që personat në karroca invalidi të kenë mundësinë të futen në ujë.
Kjo hapësirë është krijuar në hyrje të plazhit ranor të qytetit për ta bërë edhe më të lehtë aksesin e tij nga personat PAK. Krahas kësaj edhe çadrat në këtë zonë janë të loguara për këtë kategori shoqërore.
Ramazan dhe Violet Rapçe janë një çift bashkëshortësh të cilët tashmë e kanë më të thjeshtë të nxjerrin djalin e tyre me karrocë në plazh. Ata thonë se diçka e tillë nuk ka qenë më parë përveçse mund ta gjenin rrallëherë tek ndonjë plazh privat.
Duket se ky sezon turistik do jetë një garë mes bashkive turistike për të thithur sa më shumë pushues, kjo vihet re pasi bashkia e Pogradecit krahas 7 hapësirave publike që ka lënë këtë vit për pushuesit i ka pajisur ato edhe me çadra të cilat ofrohen falas për qytetarët, bashkë me punonjës dhe elementë të tjerë të sigurisë. Apeli që lëshohet nga ky institucion është që çdokush të kujdeset për çadrat dhe të mos i dëmtojnë ato.
Top Channel