Fisi i tij dhunoi banorët në Borizanë, Rahman Rraja jep dorëheqjen nga mandati i deputetit: I bëj thirrje djalit të dorëzohet!

08/07/2023 15:05

Deputeti i Partisë Socialiste Rahman Rraja ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit, pas ngjarjes në Borizanë, ku familjarë të deputetit dhunuan disa banorë.

Rraja njofton tërheqjen nga jeta politike dhe u kërkon falje qytetarëve që e kanë votuar dhe kolegëve të tij.

“Nuk kam fjalë për ta shprehur sikletin karshi të gjithë atyre që më kanë besuar gjithë këto vite. Fatkeqësisht unë dështova si prind dhe ndihem i turpëruar publikisht nga fëmija im. Ju kërkoj ndjesë shokëve dhe kolegëve te grupit parlamentar dhe deklaroj dorëzimin e mandatit të deputetit dhe tërheqjen time nga jeta politike. Ju kërkoj ndjesë atyre që më kanë dhënë votën prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej 2 mandatesh si deputet. Ju kërkoj ndjesë viktimave të asaj dhune turpëruese për familjen time”.

Teksa shprehet i turpëruar nga ngjarja kur dy banorë pranë guroreve u dhunuan me sende të forta nga fisi i tij, Rraja i kërkon të birit, Rexhep Rrajës, që të dorëzohet në polici. Zoti më dhëntë forcë të përballoj këtë dhimbje dhe të shlyej këtë turp që më la im bir, shprehet ai në reagim për shtyp.

“I bëj thirrje djalit tim të dorëzohet para drejtësisë. Zoti më dhëntë force që ta përballoj këtë dhimbje te madhe dhe jetë që ta shlyej këtë turp që më la mbi shpatulla si gur im bir. Në fund, mirënjohje dhe ndjesë edhe kryetarit të partisë dhe kryeministrit, i cili nuk më kishte asnjë borxh për këtë shqetësim kaq të madh publik që i shkaktova”.

6 korrik, në një lokal në aksin Fushë Krujë-Thumanë, familjarët e Rrajës, goditën me sende të forta dhe kërcënuan me armë Bilbil Majën dhe Jashar Majën, të cilët kërkonin zbutje të minave që përdoeshin në gurore, pasi u ka dëmtuar banesat e tyre.

Për ngjarjen, deri më tani janë shoqëruar tetë persona, ndërsa gjashtë të tjerë janë shpallur në kërkim.

“Gjatë mëngjesit të sotëm u bë shoqërimi në ambientet e Policisë i shtetasve, L. Rr., D. Rr., H. Rr., dhe A. Rr. Po kështu, u identifikuan dhe dy persona të tjerë të përfshirë të cilët u shpallën në kërkim, Edison Meta, 27 vjeç dhe Përparim Rraja, 48 vjeç. Ndërsa gjatë ditës së djeshme u shpallën në kërkim dhe 4 shtetas të tjerë Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Klajdi Rraja, dhe Rexhep Rraja”, njofton policia.

Një ditë më parë, u shoqëruan Ineid Rraja, Eni Kullaj, Kujtim Përdaku dhe Andi Rraja. Ndaj tyre rëndojnë veprat penale  “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Neglizhenca dhe vonesa e policisë në reagimin e saj për këtë ngjarje ka detyruar Policinë e Shtetit të zhbëjë të gjithë Komisariatin e Krujës. “Do të rinovohet e tërë trupa e niveleve zbatuese dhe drejtuese të Komisariatit të Policisë Krujë dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues i Parë Tonin Vocaj është drejtuesi operacional dhe përgjegjësi për çështjet e rendit dhe sigurisë, në juridiksionin territorial të këtij komisariati”, thuhet në njoftim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA