Seanca për ish-ministrin Fatmir Mediu shtyhet për në datën 18 korrik ora 14:00.

Shkak për shtyrjen u bënë prokurat për 109 viktimat e Gërdecit. Avokati i disa prej familjarëve, Dorian Matlija tha gjykata nuk pranoi prokurat dhe kërkon të reja.

Matlija: Do të diskutohet për veprimet e shtetasve, kjo nuk ndryshon se janë 3 apo 300, është i panevojshëm që ja prodhoi shtyrjen e një seance tjetër, ky është karakterizuar nga vonesat, ka nisur në vitin 2009, lloj lloj historish, ky vetëm i vonuar ka qenë dhe asgjë tjetër deri më sot, po shohim që po fillon të ecë. Prandaj që të mos sillja 100 veta në sallë, po gjykata do prokura të reja.

Më herët seanca ndaj ish ministrit është shtyrë për shkak të verifikimit të listës së paraqitur nga familjarët e personave të dëmtuar nga shpërthimi.

Rihapja e hetimeve ndaj Mediut nisi pas kërkesës së familjes Durda, të cilët humbën djalin 6 vjeç në këtë tragjedi.

Nga analizimi i pretendimeve në kërkesën për rihapjen e hetimeve, rezulton se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj Mediut dhe të rihapen hetimet ndaj tij për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Më parë Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi pranimin e familjarëve të viktimave të Gërdecit si palë në procesin kundër ish ministrit Fatmir Mediu.

26 persona humbën jetën dhe 300 të tjerë u plagosën nga shpërthimi i një baze ushtarake më 15 mars të vitit 2008.

Top Channel