Shtyhet seanca ndaj Mediut/ Prokuroria do të verifikojë listën e paraqitur nga familjarët e viktimave të Gërdecit

22/06/2023 14:37

Seanca ndaj ish ministrit Fatmir Mediu është shtyrë sërish, kësaj radhe arsye është verifikimi i listës së paraqitur nga familjarët e personave të dëmtuar nga shpërthimi nga ana e prokurorisë.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 7 korrik ora 8.30.

Sot pritej që familjarët e viktimave të dëshmonin për tragjedinë e ndodhur në vitin 2008, pasi GJKKO vendosi pranimin e tyre si palë në procesin kundër ish ministrit.

Avokati Dorian Matlija e konsideroi një arritje vendimin e Gjykatës së Posaçme, ndërsa 290 persona, mes tyre të dëmtuar dhe familjarë të viktimave të tragjedisë do të kontaktohen nga gjykata.

Rihapja e hetimeve ndaj Mediut nisi pas kërkesës së familjes Durda, të cilët humbën djalin 6 vjeç në këtë tragjedi.

Nga analizimi i pretendimeve në kërkesën për rihapjen e hetimeve, rezulton se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj Mediut dhe të rihapen hetimet ndaj tij për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Më herët, gjyqi ndaj ish-ministrit ka dështuar disa seanca me radhë për shkak të avokatëve mbrojtës të Mediut të cilët nuk janë paraqitur.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel