Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është i gatshëm të takohet me kryeministrin Edi Rama vetëm në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.
Kreu i qeverisë së Kosovës thekson se do ta takojë homologun e tij gjatë vizitës në Prishtinë, vetëm nëse zhvillohet mbledhje e dy qeverive dhe jo pa realizimin e saj.
Ai e konsideron të nevojshme këtë mbledhje, duke qenë se u anulua pa arsye, ndërsa thekson se nëse Rama insiston në anulimin e saj, ai ngelet në qëndrimin e mëparshëm.
Kurti: E di që do të vijë në një vizitë në Prishtinë. Unë miqësisht i kam takuar kryeministrit Rama që ta mbajmë edhe mbledhjen e dy qeverive, e cila u anulua paarsyeshëm. Në mënyrë që këto marrëveshjet e dakorduara të mos mbeten në sirtar unë i kam propozuar kryeministrit Rama që meqë po vjen këtë javë ta mbajmë edhe një mbledhje të përbashkët. Procesi i Berlinit është shumë i rëndësishëm dhe nuk ka në Ballkan liderë si kryeministri i Kosovës që e ka mbështetur e vazhdon ta mbështesë procesin e Berlinit. Është për mua e nevojshme që ta kemi mbledhjen e dy qeverive. Për takime me të ne të dyve ne kemi kontakt të drejtpërdrejtë. Është në tetor procesi i Berlinit, shumë mirë që i bën këto përgatitje, por të mos vonojmë edhe më tutje për mbledhjen. Nëse kryeministri insiston në anulimin e mbledhjes së dy qeverive atëherë unë ngelem në qëndrimin që ia kam thënë se për takime të ne të dyve ne. Nuk lëngon raporti Kosovë Shqipëri pse nuk takohen kryeministri i Kosovës dhe Shqipërisë, por për shkak se mbledhjet e dy qeverive tona janë anuluar paarsyeshëm. Unë jam i gatshëm të takohem me kryeministrin Rama në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, jo në takime të tjera.
Më parë Kurti ka thënë se mbledhjet e dy qeverive nuk mund të zëvendësohen me takime të kryeministrave.
Mbledhja e dy qeverive, Kosovë-Shqipëri, ishte planifikuar të mbahej më 14 qershor në qytetin e Gjakovës, ndërsa u anulua nga Rama përmes një konference të jashtëzakonshme për media një ditë para. Ai tha se i kishte kërkuar kryeministrit Albin Kurti një tjetër format takimi, gjë që nuk është pranuar.
Disa javë më parë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe te presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz, duke theksuar se pret që kjo ta çojë dialogun Kosovë-Serbi në një tjetër nivel.
Lidhur me këtë, Kurti, tha se “nuk kam dyshim që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama beson që propozimi i tij për draftstatutin është i mirë, dhe duke qenë kështu atëherë unë çka propozojë është që kryeministri Rama këtë draft për pakicat kombëtare t’ua propozojë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç më së largu në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”.
Top Channel