Digjet shtëpia e kreut zonal në Paris, gjatë trazirave për vrasjen e adoleshentit nga policia (fotot)

03/07/2023 19:31

Shtëpia e kreut të një zone periferike të Parisit, Vincent Jeanbrun është përplasur mbrëmë nga një makinë në flakë e lëshuar prej protestuesve, dhe bashkëshortja e tij ka thyer këmbën teksa largohej me dy fëmijët.

Sulmi i rëndë është dënuar nga politika vendase dhe vjen në kohën kur kryebashkiakë të qyteteve franceze dolën sot në një marshim simbolik duke kërkuar fundin e dhunës nga të rinjtë francezë.

“Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë që familja ime do të kërcënohej me vdekje”, tha më pas kreu i rajonit L’Haÿ-les-Roses, i rizgjedhur në 2020.

Ndërkohë Nadia, gjyshja e Nahel, adoleshentit të vrarë nga polici francez me plumb në kokë, tha dje se demonstruesit e dhunshëm po shfrytëzonin vdekjen e tij si një “pretekst” dhe bëri thirrje për qetësi.

Megjithse dje dhuna ishte reduktuar në përgjithësi, mbeten ende pyetje për episodin e dhunshëm të ekzekutimit që e nisi atë.

Hetuesit thanë dje se po merrnin në pyetje të riun që ishte pasagjer në makinën e Nahel, thanë burimet e rrjetit vendas AFP.

Trazirat janë më të rëndat në Francë që prej vdekjes së vitit 2005 të dy të rinjve francezë  që i largoheshin policisë, që u pasua nga tre javë trazira të dhunshme.

“Nuk më pëlqen që njerëzit djegin e thyejnë gjëra, por qeveritaret duhet të dëgjojnë të rinjtë, zemërimin dhe zhgënjimin e tyre”, tha aktivistja e grave Fatiha Abdouni, nga Nanterre në Paris.

Ajo shtonte se zhgënjimi i tyre vjen nga mungesa e mundësive për strehim, studim e punë, dhe se vdekja e  Nahel ishte shkëndija që ndezi dhunën.

FOTO GALERI
3/3
"Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë që familja ime do të kërcënohej me vdekje”, tha më pas kreu i rajonit L'Haÿ-les-Roses

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA