Dy persona janë arrestuar pasi përmes një hetimi tremujor është zbuluar se ata janë porositësit dhe ekzekutorët e tentativës për vrasje me armë zjarri, të një 22-vjeçari për motive të dobëta.

Ngjarja ka ndodhur në Lushnjë në muajin mars, ku mbeti e plagosur halla e 22-vjeçarit, pasi ndodhej në të njëjtin automjet me të, në momentin e të shtënave.

Operacioni i koduar policor “Pasoja e padëshiruar” ka siguruar prova të mjaftueshme, të cilat bënë të mundur zbardhjen e plotë të tentativës për vrasje të 22-vjeçarit në fshatin Ballagat të Lushnjës.

Në pranga janë vënë një 28-vjeçar i quajtur Mariglen Matjani dhe një tjetër 30-vjeçar i quajtur Laert Hasalla, të dy banues në fshatin Ballagat.

Sipas hetimeve të kryera, rezulton se 30-vjeçari Laert Hasalla ka paguar Mariglen Matjanin, për të vrarë për motive gjakmarrjeje, shtetasin M. H, 22 vjeç. Dyshohet se babai i 22-vjeçarit akuzohet për vrasjen e vëllait të Laert Hasallajt.

Për të përmbushur porosinë e marrë, Mariglen Matjani ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin qarkullonte 22-vjeçari dhe halla e tij,  B. S., 60 vjeçe e cila nga të shtënat ajo ka mbetur e dëmtuar në këmbë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Top Channel