‘Njeriu pishtar’/ Zjarrfikësi thyen rekordin e vrapimit më të gjatë i veshur nga flakët (fotot)

01/07/2023 17:46

Ai që njihet tashmë si “pishtari njerëzor” ka vendosur dje dy rekorde botërore teksa vrapoi drejt linjës së finish-it i përfshirë nga flakët.

Zjarrfikësi francez Jonathan Vero, 39 vjeç, i rrethuar nga flakët në të gjithë trupin, ka kryer dje vrapimin 272 metra në qytezën e tij të lindjes Haubourdin, një komunë rreth 160 km në veriperëndim të Parisit.

Vrapimi i tij ishte 68.02 metra më i gjatë se mbajtësi i mëparshëm i rekordit, i mbushur me flakë në të gjithë trupin e thuajse pa oksigjen, sipas përshkrimit të rekordit.

Vero kishte thyer më parë dhe rekordin e vrapimit të shpejtë 100 m pa oksigjen në vetëm 17 sekonda, duke mundur mbajtësin e mëparshëm me 7.58 sekonda.

“Kjo performancë ka shumë kuptim për mua, për punën time si zjarrfikës dhe për njerëzit që më kanë stërvitur dhe kanë parë punën time ndër vite”, tha Vero.

Ndihmësit e tij e ndezën Vero në flakë për tentativën  — i cili ishte veshur me kostum mbrojtës zjarr-vonues  — para se të niste vrapimin e tij të rekordit, teksa shoqërohej nga njerëz me fikëse zjarri që e ndiqnin për çdo emergjencë të mundshme, shihet në pamje.

Vero më pas vendosi të ndalonte dhe i sinjalizoi ndihmësve ta shuanin me pompën e ujit, teksa nisi sërish të merrte frymë.

Zjarrfikësi punon dhe si dublant piroman në filma, ndërsa thotë se stërvitet shumë për rekordet e tij, të cilat i kishte ëndërruar prej fëmijërisë.

Ai thotë se “zjarrin e kam pasur pasion,” dhe se “gjithmonë luaja me të”.

Ai shton se nuk do të ndalet në dy rekordet e tij pasi kategoritë e sfidave te zjarrit janë të shumta.

FOTO GALERI
1/3
Jonathan Vero, 39 vjeç, i rrethuar nga flakët në të gjithë trupin, ka kryer dje vrapimin 272 metra në qytezën e tij të lindjes Haubourdin

Top Channel