Numrat e frikshëm, 5000 shpërndarës, kujdesen për familjen, bëjnë pazaret dhe janë të armatosur

29/06/2023 23:27

Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço, avokati Jordan Daci dhe pedagogu Arian Curri kanë diskutuar mbrëmjen e sotme në “Top Story” edhe për mënyrën se si funksionon krimi i organizuar në Shqipëri, dhe si rekrutohen “ushtarët” që kryejnë punët e pista të grupeve kriminale.

Karamuço ka treguar se ushtarët ndahen në dy kategori: të brendshmit, të cilët marrin një pagë fikse nga bosi i kartelit, familjes apo organizatës, për të kryer çfarëdolloj gjëje, përfshi këtu edhe punë shtëpie. Deri tek “të porositurit”, të cilët zakonisht punojnë me përqindje, dhe pagesat për punë të caktuara mund të shkojnë nga 20 deri në 30 mijë euro.

Jordan Daci, nisur nga eksperienca e tij si avokat, ka treguar se në dosjet e krimit të organizuar në Shqipëri ka edhe nga ata persona që kanë marrë përsipër punë për një drekë, një udhëtim në Evropë apo një makinë. Pra ka edhe pagesa ordinere, deri diku edhe fare të papërfillshme, që iu ofrohen larësve të hesapeve për kryerjen e veprimeve kriminale. Dhe kjo e gjitha për shkak të shtresëzimit ekstrem të shoqërisë.

Në Shqipëri fatkeqësisht ka një bazë ekonomike apo sociale ku t’i gjen ushtarë pafund të gatshëm. Jo 45, por 4000 të marrësh, do të kesh edhe 4000 të tjerë në dispozicion. Pse? Sepse t’i ke në masë djem të rinj pa shkollë, pa asnjë lloj të ardhure, pa asnjëlloj imazhi dhe vizioni për jetën e vetë”- tha Daci.

Sakaq, Curri ngriti si problem shqetësues përdorimin e minorenëve për shpërndarje droge dhe vrasje.

Pjesë nga biseda:

Grida Duma: Sa paguhen këto ushtarët e vegjël që përgjithësisht janë rini dhe e gjejnë…

Karamuço: Janë dy lloje ushtarësh. Ushtarë që e gjejnë veten prezent dhe që ushqehen vetëm me rrogat që u jep bosi i tyre i kartelit, sindikatës apo familjes. Dhe ushtarë që bëjnë edhe punë të tjera dhe thirren vetëm për këtë punë dhe paguhen në përqindje.

Këta që janë ushtarë të zakonshëm kanë rroga dy deri në 3 mijë euro në muaj, janë paga fikse. Ata janë aty në çdo moment, shkojnë-vijnë, shoqërojnë me makinë, gjithçka… Bëjnë gjithë punët e ditës, edhe për të blerë cigare edhe për ti blerë ushqime familjes së tij, i bëjnë të gjitha këta. Por janë njerëz të besuar. Janë të armatosur etj. etj. Për kategorinë e dytë, pagesa shkon edhe 20 deri në 30 mijë euro. Nëse futesh në një linjë të madhe, ai thotë: “Sa e kemi transportin? Na kushton 200 mijë euro?” – Po. “Ndajua çunave.”

Grida Duma: Flas për këtë 4-5 mishen. Këto shpërndarësit e vegjël në terren.

Daci: Nga dosjet që kam kaluar unë, dhe nuk bëhet fjalë për një numër të vogël sepse u bën vite, mos prisni pagë në kuptimin e pagës. Ata paguhen duke i blerë një makinë, duke e çuar xhiro diku, atë e paguan duke i paguar një drekë ose duke i bërë një favor të një natyre të caktuar. Pra ka edhe forma ordinere, deri diku edhe fare të papërfillshme.

Grida Duma: Ca prej tyre Jordan, i paguan edhe duke i bërë të varur nga droga.

Daci: Asnjë nuk është i varur nga droga në kuptimin e mirëfillt të fjalës, janë shumë pak ato sepse në momentin që dikush bëhet i varur nga droga është i rrezikshëm, kështu që e largojnë prej grupit. Pra, dua të them që askush nuk është i varur në kuptimin patologjik. Janë përdorues, padyshim, pjesa më e madhe e tyre përdorin ato mekanizmat. Por në Shqipëri fatkeqësisht, sepse prandaj është tepër i përhapur krimi tek ne, ngaqë ka një baze ekonomike apo sociale ku t’i gjen ushtarë të gatshëm pafund. Jo 45, por 4000 të marrësh, do të kesh edhe 8000 të tjerë në dispozicion. Pse? Sepse t’i ke në masë djem të rinj pa shkollë, pa asnjë lloj të ardhure, pa asnjëlloj imazhi dhe vizioni për vetë jetën. S’kanë asnjëlloj orientimi normal. I vetmi orientim është që dalin në kafe, aty duhet t’u paguash pastaj drekat, daljet me shoqërinë në vendet luksoze që ata e kanë ëndërr, padyshim hynë edhe elementi femër në shumicën e rasteve. Pra janë shumë element. Mund t’iu blesh shtëpi, mund t’i dërgosh xhiro nëpër Evropë. Zakonisht kur shkojnë në Evropë bëjnë edhe punë të tjera. Përveç qejfit, bëjnë edhe nonjë vëzhgim të vogël etj. etj.

Ky është një fenomen kriminal tejet i zhvilluar.

Curri: Ajo që është tejet shqetësuese tani është përdorimi i minorenëve për shpërndarje droge dhe vrasje. Kemi pasur rastin e para disa ditëve në Durrës sepse unë e di ngaqë më kontaktojnë përditë, ca kërkojnë edhe avokat por nuk i ndjekim dot të gjitha… Di që minoren përdoren nëpër lagje si shpërndarës droge. Kjo sepse marrin parasysh që duke qenë minorenë, mund të ketë rrethana lehtësuese për ta. Më kanë ardhur prindër, nëna duke qarë që më thoshin “ne mendonim se e kishim djalin në shkollë, dhe madje edhe të mirë me mësime dhe kur vjen puna na marrin në telefonë policët dhe na thonë hajde sepse djalin e ke të arrestuar” me kaq doza hashashi, kokaine apo edhe heroine që është edhe më e rrezikshme akoma. Disa prej këtyre minorenëve bëhen kuriozë dhe fillojnë e përdorin edhe vetë, bëhen edhe të varur dhe situata bëhet më pas shumë tragjike.

Kështu, ky fenomen është shumë më tepër nga ç’mund të themi këtu.

Top Channel