Videoja nxjerr bllof forcat e rendit/ Policia vret adoleshentin, trazira në Paris

28/06/2023 08:48

Ekzekutimi i një 17-vjeçari nga policia rrugore vetëm sepse nuk iu bind urdhrave të saj për të ndaluar, ka bërë që në Paris dhe rrethinat e tij të shpërthejnë trazirat.

Njerëzit dolën nëpër rrugë të indinjuar pas videos që qarkulloi në rrjet ku shihej një oficer policie që i drejton armën shoferit të një makine, përpara se të dëgjohet një e shtënë. Makina më pas përplaset. Adoleshenti, i identifikuar si Nael M., vdiq si pasojë e plumbave në gjoks, pavarësisht ndihmës së parë të dhënë me urgjencë.

Ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin, tha se videoja e shpërndarë në mediat sociale, është “jashtëzakonisht tronditëse”. Oficeri që dyshohet se qëlloi, u arrestua nën akuzën për vrasje. Nael M. është personi i dytë që vritet këtë vit në Francë nga të shtënat e efektivët e policisë në trafik. Vitin e kaluar, 13 persona u vranë në këtë mënyrë. Vdekja e tij u bë shkas për trazira të mëdha në Nantere, zonë në perëndim të Parisit, ku u vra adoleshenti.

Disa makina dhe kosha plehrash u dogjën, e stacione të autobusëve u shkatërruan. Të paktën 24 persona kanë përfunduar në pranga. Sipas gazetës Le Monde, policia doli fillimisht me pretendimin se adoleshenti e kishte drejtuar makinën drejt efektivëve me qëllimin që t’i lëndonte. Por pamjet e postuara në internet treguan diçka krejt tjetër.

Në to shiheshin dy policë, njëri nga të cilët i drejton armën shoferit përmes dritares dhe qëllon, teksa i riu tenton të largohet. Avokati i familjes së 17-vjeçarit, Yassine Bouzrou, këmbënguli se nuk bëhet aspak fjalë për vetëmbrojtje legjitime, por pamjet sipas tij dëshmojnë qartë sesi një polic vret një djalë të ri me gjakftohtësi.

Top Channel