Macron: Vrasja e adoleshentit nga policia, e pafalshme

28/06/2023 18:31

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se vrasja e një adoleshenti nga policia është “e pafalshme” dhe shtoi se “asgjë nuk e justifikon” vdekjen e një të riu.

Komentet e tij vijnë pasi protestat për vrasjen përfshinë rajonin e Parisit gjatë natës së shkuar. “Kemi një adoleshent që është vrarë. Është e pashpjegueshme, e pafalshme”, tha Macron.

Nahel, 17 vjeç, u qëllua të martën në makinën e tij, pasi nuk ndaloi kur u urdhërua. Një video që qarkullon në rrjetet sociale, tregon një oficer policie që i drejton armën shoferit të një makine, përpara se të dëgjohet një e shtënë. Makina më pas përplaset.

Adoleshenti vdiq si pasojë e plagëve të plumbave në gjoks, pavarësisht ndihmës së urgjencës.

Oficeri policor që dyshohet se qëlloi, u arrestua nën akuzën për vrasje. Nael është personi i dytë që vritet këtë vit në Francë nga të shtënat e policisë në trafik. Vitin e kaluar, 13 persona u vranë në këtë mënyrë, raporton REL.

Vrasja e Naelit nxiti një seri protestash mbrëmjen e së martës në Nantere – zonë në perëndim të Parisit, ku u vra adoleshenti.

Disa makina dhe kosha plehrash u dogjën, ndërsa stacione të autobusëve u shkatërruan. Së paku 24 persona u arrestuan pas trazirave.

Në përgjigje të tyre, Qeveria franceze njoftoi se do të ketë përforcime policore në rrugë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA