Kërkimi nënujor për një meteor të huaj, shkencëtari: Mund të jetë teknologji nga një qytetërim alien

27/06/2023 11:15

Reliket e meteorit të parë ndëryjor mendohet se shtrihen në fund të Oqeanit Paqësor. Javën e kaluar një shkencëtar dhe ekipi i tij pretenduan se i kishin gjetur ato.

Mendohet se ky meteor ndodhet thellë nën Oqeanin Paqësor, afërsisht një milje (1.6 km) nën ujë. Fizikani kontrovers i Harvardit Avi Loeb ka qenë në kërkim të këtij meteori prej kohësh dhe tani mendon se e ka gjetur.

Kometa Oumuamua në formë puro, që ra pranë Tokës në tetor 2017, dhe u zhduk në zbrazëtinë e hapësirës e bëri kurioz Loeb i cili iu fut kërkimeve të shumta për të zbuluar më shumë rreth tij, Kërkimet e Loeb-it u quajten “Gjuetari i alienëve të Harvardit”,  një libër shumë i shitur, por ka marrë kritika nga kolegët e tij shkencëtarë.

Me këtë kometë në mendje, Loeb vendosi të kërkonte për anomali të tjera kozmike. Dhe kjo është ajo që e çoi atë tek një meteori i çuditshëm që shpërtheu mbi Oqeanin Paqësor në orën 3.05 të mëngjesit më 9 janar 2014.

Është një fakt befasues që asnjë njeri nuk ka hasur personalisht ndonjëherë materiale nga jashtë Sistemit tonë Diellor të paktën, jo me vetëdije.

Analiza e Loeb sugjeron se jo vetëm që meteori IM1 po lëvizte më shpejt se sistemi ynë diellor, por po udhëtonte gjithashtu më shpejt se 95% e yjeve aty pranë. Kjo, beson ai, sugjeron se ishte ndëryjore. Megjithatë, edhe duke e marrë parasysh këtë, nuk është e qartë se si arriti një vrull të tillë.

Së dyti, meteori ishte jashtëzakonisht i fortë, në vend që të shpërbëhej në atmosferën e sipërme të Tokës, IM1 qëndroi derisa arriti në atmosferën e poshtme.

“Ne zbuluam se forca e tij materiale duhet të jetë të paktën disa herë më e madhe se të gjithë shkëmbinjtë e tjerë hapësinorë, 272 prej tyre [në atë kohë] në të njëjtin katalog,” tha Loeb, në një intervistë me BBC disa javë përpara.

Së bashku me një koleg nga Harvardi, Loeb llogariti me 99,999% besim se IM1 ishte një vizitor ndëryjor. Kjo do ta bënte atë vetëm të tretën e zbuluar ndonjëherë, pas kometës 2I/Borisov, e cila u zbulua në gusht 2019 dhe Oumuamua.

Kur ekipi shkroi gjetjet e tyre, punimi fillimisht u refuzua për botim në një revistë shkencore, pjesërisht sepse ekspertët që e shqyrtonin atë menduan se kishin nevojë për më shumë detaje. Në nevojë për akses urgjent në dokumente të klasifikuara, misioni i Loeb-it ngeci.

Më pas, pas vitesh peticion në Shtëpinë e Bardhë për informacione të mëtejshme, në fillim të këtij viti NASA mori një letër. Nënshkruar nga gjeneral-lejtnant i Forcave Hapësinore të SHBA-së, me një vulë blu nga Departamenti i Mbrojtjes, konfirmoi se ata kishin kontrolluar punën e Loeb me kryeshkencëtarin në Komandën e Operacioneve Hapësinore të SHBA-së dhe konfirmuan se ishin “mjaftueshëm të saktë”, meteori erdhi nga hapësira ndëryjore.

Disa shkencëtarë të NASA-s vazhduan të ishin mosbesues ndaj gjetjeve të Loeb. Dy shkencëtarë të tjerë të kontaktuar nga BBC refuzuan të komentojnë pasi nuk dëshironin të kishin lidhje me pretendimet e Loeb.

Por nëse IM1 me të vërtetë i kishte tiparet që Loeb ka zbuluar, ai ngre një numër pyetjesh, asnjëra prej të cilave nuk ka ende përgjigje. Nga çfarë mund të ishte bërë? Dhe si përfundoi duke udhëtuar kaq shpejt?

Shpjegimet variojnë nga ato relativisht të matura, siç është ideja se e ka origjinën brenda një supernova të largët, shpërthimi i një ylli masiv, deri tek teoria se meteori mund të përfaqësojë teknologjinë nga një qytetërim alien.

David Spergel, profesor emeritus i shkencave astrofizike në Universitetin Princeton, i cili aktualisht është duke kryesuar studimin e pavarur të NASA-s mbi fenomenet anormale të paidentifikuara (UAPs), pajtohet se IM1 ishte një objekt intrigues, megjithëse ai thotë se kjo nuk do të thotë se ishte bërë nga jashtëtokësorë inteligjentë.

Ekipi i kërkimit të meteorëve të Loeb mbërriti në bordin e Yllit të Argjendtë më 14 qershor në një pjesë të oqeanit rreth 84 km (52 milje) nga brigjet tropikale të ishullit Manus, Papua Guinea e Re. Duke përdorur një kombinim të të dhënave ushtarake amerikane dhe leximeve lokale të sizmologjisë, Loeb llogarit se mbeturinat nga meteori do të kenë zbritur në këtë oqean.

Më 21 qershor, ata patën fat. Siç raportoi Loeb në blogun e tij për ekspeditën, një anëtar i ekipit informoi se kishin gjetur një sferulë – një perlë e vogël metalike, siç tha ai, rreth 0.3 mm e gjerë. Shpejt u zbulua se ky ishte një nga shumë të tjerë, dhe ishte i përbërë kryesisht nga hekur, magnez dhe titan. Loeb vëren se ky është një kombinim i pazakontë, si në objektet e krijuara nga njeriu ashtu edhe në meteoritët.

A mund të jetë ky kontakti i parë që njerëzit kanë pasur ndonjëherë me një material nga jashtë Sistemit tonë Diellor?

“Sferulat e vogla metalike janë jashtëzakonisht të zakonshme në Tokë. Ato vijnë nga shkarkimi i automobilave, frenat e automjeteve, saldimi, vullkanet dhe ndoshta disa burime të tjera që nuk i kemi identifikuar”, thotë Fries, një shkencëtar.

Fries shpjegon se ka të dhëna të caktuara që mund të tregojnë se ata kanë ardhur nga hapësira, duke përfshirë një oksid hekuri të quajtur ëustite, praninë e nikelit dhe disa izotope.

Dhe edhe nëse konfirmohet se sferulat kanë origjinë përtej proceseve të përditshme në Tokë, është e mundur që ato të mos kenë ardhur nga IM1. Mendohet se rreth 500 meteoritë përplasen në Tokë çdo vit.

Loeb mbetet optimist. Ekipi planifikon t’i çojë sferulat në Observatorin e Kolegjit të Harvardit, ku ata do të përdorin spektrometrinë për të identifikuar izotopet brenda, duke analizuar përmasat e tyre në lidhje me meteoritët e tjerë, Loeb shpreson të testojë nëse IM1 ka vërtet origjinë ndëryjore. Përndryshe, sugjeron ai, mund të konfirmojë se ato nuk janë formuar, por janë bërë, ndoshta nga alienë inteligjentë.

Top Channel