43 anëtarë të rrjetit kriminal ‘Ndrangheta” u arrestuan në orët e para të mëngjesit të kësaj marte gjatë një operacioni të zhvilluar nga autoritetet italiane në bashkëpunim me Europol dhe Eurojust.

Rrjeti kriminal e kishte bazën në qytetin provincial të Crotone në Kalabri. Për arrestimin e anëtarëve të bandës, mes të cilëve shtetas gjerman e austriak, u angazhuan mbi 1000 oficerë policie.

Nga hetimet e kryera u zbulua se anëtaret e “Ndranghetas” kishin arritur të korruptonin politikanë të ndryshëm po ashtu të manipulonin dhe zgjedhjet lokale në Kalabri si dhe të emëronin në krye të administratës njerëz që t’u shërbenin atyre.

Përmes emërimeve në institucione, banda kriminale arrinte të kontrollonte të gjithë territorin si dhe të përfitonte nga tenderat publikë. Hetuesit vërtetuan se rrjeti kriminal përmes ndikimit në procedurat e prokurimit publik në Itali, mundi të përfitonte 3 milionë euro vetëm nga fondet e Bashkimit Europian.

Po ashtu, nga hetimet u zbulua se kriminelët krijonin skema komplekse të pastrimit të parave në mbarë botën, duke përdorur një grup hakerash gjermanë, të cilët, sipas Europol, ishin në gjendje të mashtronin sistemin bankar duke operuar në platforma të ndryshme tregtare, në të cilat bënin të mundur pastrimin e aseteve të paligjshme.

Po ashtu paratë pastroheshin dhe në prona të patundshme apo biznese të tjera që rrjeti kriminal posedonte. Gjatë aksionit u sekuestruan 16 kompani, 25 prona të paluajtshme dhe 15 automjete me vlerë mbi 5 milionë euro. Ndërkohë autoritetet po vijojnë hetimet me qëllim identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të grupit mafioz “Ndrangheta”, i cili mendohet se mund të jetë një person i rëndësishëm dhe me influencë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA