Nata e dytë e festivalit në Gjirokastër/ Radha e Lezhës, Vlorës dhe Shqiptarët e Malit të zi

26/06/2023 12:45

Festivali Folklorik Kombëtar ka vijuar në natën e tij të dytë me grupet e qarqeve të Vlorës dhe Lezhës si dhe grupin e shqiptarëve të Malit të Zi.

Motivet që u ngjitën në skenë sollën prurje burimore qindra vjeçare si dhe ritet e lindjes, dasmës, apo vallen e historike të shpatave. Në skenë spikatën gjithashtu instrumentat si lahuta dhe fyejt si dhe objekte të trashëgimisë kulturore materiale që shoqërojnë momente themelore të jetës. Këngët risollën vargjet mesjetare të vajit dhe kurbetit, dashurisë dhe luftës, mbijetesës dhe identitetit dhe u përfaqësuan nga të gjithë brezat.

“Grupi Shqiponjat e Tërbaçit përfqësohet me “Ninullën e djalit”, që zë bazë nisja e jetës. Transmetohen jeta folklorike burimore tek të rinjtë. Në fund të fundit janë thesare shpirti dhe ky është misioni jonë që këto thesare t’ia përcjellim brezave”, tha grupi.

“Ka një peshë të madhe të ngjitesh në këtë skenë, në festivalin e Gjirokastrës, në festivalin folklorik mbarëkombëtar. Është hera e dytë që shqiptarët e Malit të zi përfaqësohen dhe përfaqësohen denjësisht. Identiteti është pika jonë për të cilën luftojmë çdo ditë e më shumë. Ta mbajë dhe ta ruajmë”, tha një pjesëtare e grupit të shqiptarëve të Malit të Zi.

Në natën e tretë të festivalit pritet të ngjiten në skenë grupet e qarqeve të Dibrës dhe Tiranës si dhe grupi përfaqësues i shqiptarëve të Kosovës. Në orët e mbrëmjes eventi do të mbyllet në pazarin karakteristik me ritmet e bandës së Anxhela Peristerit.

Mijëra vizitorë dhe artistë që mbushin Gjirokastrën kanë pasur mundësi që të jetojnë trashëgiminë edhe përgjatë ditës, duke u veshur me kostume tradicionale duke shijuar ritualin e kafes së gurit, klasa gatimi tradicional, klasa kërcimi dhe kënge si dhe evente të lidhura me muzetë.

Top Channel