Ngatërroni dhimbjen e veshkave me një problem tjetër shëndetësor? Urologu tregon si ta dalloni

24/06/2023 18:26

Urologu i njohur Artan Koni i ftuar në emisionin “Hipokrati”, ka folur rreth problemit më të zakonshëm që njerëzit përballen në ditët e sotme, atë të gurëve në veshka.

Ai ka dhënë disa detaje të rëndësishme se si të dallojmë që dhimbja që po përjetojmë është për shkak të veshkave dhe jo të një problemi tjetër shëndetësor.

“Dhimbja e veshkës nuk është vetëm në krah, përveç krahut, godet dhe për nga këmba, kjo është e para. E dyta është një dhimbje që të përzihet, ke ndjesi të vjellë, edhe mund të mos vjellësh, nuk është e domosdoshme, por e ke atë ndjesinë. Nuk do të pish as ujë, nuk do të hash as bukë. Është një dhimbje fleksible që e quajmë ne, një dhimbje që shtohet, shtohet e më pas zvogëlohet. Nuk është një dhimbje konstante. Është një dhimbje që rritet, rritet, rritet dhe duket sikur do vdesësh se ke shumë dhimbje, pastaj pa qetësues fare qetësohesh, pastaj rritet prapë, pastaj qetësohet. Kështu vazhdon derisa të zgjidhet problemi”, shprehet mjeku Koni.

Top Channel