Global Media Forum e DW dëshiron të kapërcejë ndarjet

19/06/2023 08:23

Pandemitë, ndryshimet klimatike, pakësimi i burimeve, luftërat.

Njerëzimi po përballet me sfida të jashtëzakonshme – por ai është i përçarë. Forumi i 16-të Global i Mediave organizuar nga DW dëshiron të ndërtojë ura.

“Të kapërcejmë ndarjet” titullohet sivjet Forumi Global i Mediave (GMF) organizuar nga Deutsche Welle. Konferenca në Bonn zhvillohet në një kohë kur bota dhe perceptimi ynë ndaj saj duket se po shpërbëhen gjithnjë e më shumë. Debatet po bëhen më të ashpra e më të vështira – veçanërisht në mediat sociale. Hendeqet po shtrihen si brenda shoqërive dhe ndërkombëtarisht. Termat po bëhen më luftarake dhe shkojnë nga “përplasja e kulturave” tek “përplasja e sistemeve”. Dhe fraksionet ndërluftuese po përpiqen të përdorin propagandën dhe dezinformimin për të fituar betejën për narrativat.

Në këtë situatë mediat dhe krijuesit e tyre kanë një përgjegjësi të veçantë, thotë drejtori i Deutsche Welle-s, Peter Limbourg. “Informacionet e rreme, teoritë e konspiracionit dhe populizmi janë sfida kryesore për mediat. Është ndoshta më e rëndësishme se kurrë që gazetarët të reflektojnë në mënyrë kritike mbi veprimet e tyre.” Për Limbourgun detyra e forumit GMF është pikërisht të mundësojë këtë lloj reflektimi në nivel ndërkombëtar. “Për shkak se këtu mund të shkëmbehen përvoja dhe këndvështrime dhe mund të mësojmë nga njëri-tjetri. Dhe ku gjithashtu kuptojmë se nuk jemi të vetëm me pyetjet dhe shqetësimet e tona, por se shumë të tjerë kanë të njëjtat sfida.”

Platformë shkëmbimesh

Më shumë se 2000 pjesëmarrës nga më shumë se 120 vende do të përdorin GMF-në si platformë për shkëmbime të tilla. Forumi GMF i organizuar nga DW është konferenca më e madhe ndërkombëtare e medias në Gjermani.

Në seksionet e ndryshme të GMF-së do të flasin mbi 140 personalitete. Mes tyre gazetari rus, Dmitri Muratov, fitues i çmimit Nobel për Paqen në vitin 2021. “Unë mendoj se kjo është shumë emocionuese, sepse ai është një kritikues i madh i regjimit autokratik,” thotë drejtoresha e GMF, Verica Spasovska. “Jam kurioze të shoh se çfarë mund të na tregojë ai për gjendjen e shoqërisë në Rusi dhe mediat atje.”

Po ashtu të ftuar janë edhe korrespondentë të njohur lufte, si fotografi Ron Haviv. Politikanë, si ministrja e Jashtme Annalena Baerbock – e cila do të përshëndesë me videomesazh. Gazetari investigativ Óscar Martínez vjen nga El Salvador për të marrë Çmimin e Lirisë së Fjalës. Dhe aktivistja liberiane për paqen dhe gratë, Leymah Gbowee, fituese e çmimit Nobel, do të jetë pjesëmarrëse e podiumit të parë.

Punëtori praktike dhe ide të reja

Gjatë GMF-së organizohen gjithashtu punëtori praktike. Aty pjesëmarrësit mund të mësojnë se si të verifikojnë fotografitë dhe videot nga interneti; një seminar merret me cilësinë e zërit të podkasteve; një tjetër se si gazetarët mund të mbrojnë shëndetin e tyre mendor kur përballen me informacione shqetësuese gjatë hulumtimeve të tyre. GMF-ja nuk mund të shmangë as ChatGPT: qëndrimi ndaj inteligjencës artificiale është sigurisht temë e konferencës.

Konkursi i start-up-eve do të jetë gjithashtu emocionues: mbi 90 biznese të reja nga të gjitha kontinentet kanë paraqitur idetë e tyre novatore që lidhen me mediat. Tre finalistët janë ftuar në Bonn: Sasha Ivanova, themeluese e organizatës SharpShark, e cila punon për mbrojtjen e të drejtave të autorit; Gabriel Karsan nga Tanzania, platforma Sema e të cilit u mundëson NGO-ve të lidhen dhe të zhvillojnë anketa në kohë reale dhe Numeral Daka nga Zambia, projekti i të cilit Community Smart Media përdor inteligjencën artificiale për të luftuar dezinformimin. Fituesi do të shpallet më 19 qershor. /DW

Top Channel