Autori i aksidentit me vdekje një ditë më parë, ku mbeti viktimë një i moshuar në Tiranë, është arrestuar.
Mendohet se 82 vjeçari Enver Kasolli ka qenë duke kaluar rrugën kur është përplasur nga një motomjet.
“K. L., 33 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar motomjetin e tij, në afërsi të TEG-ut, ka aksidentuar me pasojë vdekjen, shtetasin E. K., 82 vjeç”, sipas policisë.
Veç kalimit të palejuar në autostradë në errësirë, shkak për aksidentin dyshohet të jetë edhe shpejtësia që po lëvizte drejtuesi i motorit tip “Honda”. Viktima banues në Tiranë, vuante nga Alzhaimeri dhe rezultonte i humbur që një ditë para aksidentit.
Në skemën e krijuar nga policia në vendngjarje, dyshohet se 82 vjeçari ka qenë duke ecur anës autostradës Tiranë-Elbasan dhe është futur papritur në aksin ku ka shpeshtësi lëvizje automjetesh, çka si pasojë pas përplasjes gjeti vdekjen e menjëhershme.
Policia dhe ambulanca u lajmëruan nga drejtuesi i motomjetit, por prania e tyre nuk arriti të shpëtonte viktimën. I moshuari u gjet me pultin e televizorit në duar në çastet e fundit të jetës, teksa policia në njoftimin e parë për shtyp e cilësonte si shtetas të paidentifikuar, në mungesë të dokumenteve të identifikimit.
Kanë qenë të afërmit e tij, të cilët pas publikimit të lajmit në media kanë konfirmuar identitetin e Enver Kasollit tek uniformat blu.
Njoftimi i Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 ndaluan shtetasit A. Sh., 18 vjeç dhe K. A., 25 vjeç (vëllezër), të dy banues në Selitë, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur disa produkte në një market. Gjatë kontrollit në banesën e tyre, shërbimet e Policisë gjetën një biçikletë të dyshuar të vjedhur, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariarit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin N. D., 50 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasit:
– E. H., 34 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar automjetin, në aksin rrugor Tiranë-Durrës, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti është përplasur me bordurën anësore të rrugës. Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën pasagjeri në këtë automjet, shtetasi V. M., 35 vjeç;
– K. L., 33 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar motomjetin e tij, në afërsi të TEG-ut, ka aksidentuar me pasojë vdekjen, shtetasin E. K., 82 vjeç;
– G. Q., 22 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap në bulevardin “Bajram Curri”, duke drejtuar pa leje drejtimi motomjetin;
– Z. V., 47 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar motomjetin, në gjendje të dehur, është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin R. D., 25 vjeç. Si pasojë është dëmtuar 25-vjeçari, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel