Zagoria një prej krahinave më të thella në bashkinë e Libohovës është duke njohur këtë vit interes prej vizitorëve të aventurës.

Zona megjithëse ende e paaksesueshme për turizmin kulturor dhe natyror po bën përpjekje për të sjellë në vëmendje asetet e traditës, trashëgimisë dhe natyrës. Në panairin lokal “Jeto Natyrën” që erdhi në edicionin e tij të dytë e u mbajt në fushën e Çajupit banorët ekpozuan produkte të zonës që deri tani janë pak të promovuara.

Përfaqësuesit e shoqatës “Zagoria” vijojnë të jenë të shqetësuar për vëmendjen ende të ulët për ta zhvilluar zonën. Emigracioni në të gjithë luginën e Zagorisë është në nivelin gati 80% ndërsa mungojnë investimet në sturktura akomodimi dhe shërbimi turistik.

Parku Kombëtar i Zagorisë që u listua mes zonave të mbrojtura gati 4 vjet më parë nuk ka ende një sistem efektiv menaxhimi me përfitim për komunitetin. Me një sipërfaqe prej 24.600 ha të ndarë në dy zona me prioritet të diferencuar kthimi në park kombëtar synonte mbrojtjen e pasurisë së florës dhe faunës së zonës dhe orintimin e krahinës drejt ekoturizmit si një prioritet i së ardhmes.

Por Zagoria ende ka probleme të thella të lidhura me mungesën e investimeve në infrastrukturë, situatën e mbetjeve urbane, dëmtimin e pyjeve dhe aseteve kulturore por edhe edukimin e komunitetit me prioritet e zhvillimit të qëndrueshëm turistik.

Top Channel