Temperaturat e larta e lodhin trupin, por përveç ndikimit në shëndetin fizik, vapa ndikon edhe në shëndetin tonë mendor.
Nervozizmi, ankthi dhe mbingarkesa janë vetëm disa nga simptomat që na ndodhin gjatë periudhës së verës.
“Vijmë nga një stinë që ka qenë komplet e pa stabilizuar, me ndryshime të shpeshta, herë diell e herë shi. Ndaj presioni atmosferik krijon presion kudo që ne kemi ato problemet tona. Ai që vuan nga reumatizma, I dhembin kockat, kush vuan nga alergjia i merret më shumë fryma, kush ka bërë një operacion I dhemb plaga. Po ashtu personat që vuajnë probleme më së shumti me gjendjet e ankthit, apo ndryshimet e humorit e vuajnë ndryshimin e motit. Dëgjojmë shpesh 3-4 vitet e fundit që po përjetojmë të nxehtë afrikan, por ne jemi mesdhetarë, nuk jemi afrikanë, ndaj kjo gjë e streson organizmin tonë. Moshat që ankohen më shumë janë ato mbi mesataren që e vuajnë temperaturën e lartë. Nuk mungojnë edhe moshat e reja. Ankesa kryesore mbetet gjendja e ankthit, problemet me gjumin që rrjedhimisht ndikojnë tek gjendja e humorit. Rëndom dëgjojmë njerëz që shmangin mjekun dhe I drejtohen direkt farmacisë. Ne rekomandojmë që në asnjë mënyrë të mos ndiqet kjo rrugë, pra të vetëmjekohen. Kjo është mënyra më e keqe për të zgjidhur problemin, sidomos të gjumit. Mjekët dhe terapistët janë ata që evidentojnë dhe kurojnë problemin”, tha mjekja psikiatre Arjana Rreli.
Top Channel