Vidhnin në shtëpitë e himariotëve sende dhe i shisnin në qytete të ndryshme, arrestohen 3 hajdutët

17/06/2023 11:30

Tre persona janë arrestuar pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin vidhnin në banesat e himariotëve sende të ndryshme dhe i shisnin në qytete të vendit.

Policia zbardhi 6 raste vjedhje të kryera gjatë periudhës maj-qershor të këtij viti, ku tre hajdutët në banesa të ndryshme kanë vjedhur sende personale, pajisje elektrike, vegla pune, biçikleta, aparate celulare, të cilat më pas i shisnin në qytete të ndryshme si Gjirokastër, Vlorë dhe Sarandë.

Konkretisht ra në pranga:

– 32-vjeçari R. R., banues në Vlorë, me precedent penal në fushën e narkotikëve, i cili u lokalizua dhe u vu në pranga në qytetin e Vlorës.

– 39-vjeçari Y. T. banues në Sarandë, i cili u lokalizua dhe u vu në pranga në qytetin e Sarandës.

– 44-vjeçari S. G., banues në Tiranë, me precedent penal në fushën e vjedhjes, i cili u lokalizua dhe u vu në pranga në qytetin e Gjirokastrës.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pinca, 1 peshore, 1 thikë, 1 distributor elektrik, disa metra kabllo elektrike dhe 5 aparate celulare.

Sipas policisë vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga tre bashkëpunëtorët.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel