Ngjarje e rëndë në Angli/ Dënohet shqiptari, përdhunoi vajzën 17-vjeçare në tualetin e një pub-i Akademia e Shkencave mbajti sot homazhet për një nga themeluesit e saj.
Profesor Luan Omari, akademiku më jetëgjatë në vendin tonë, u nda nga jeta në moshën 101-vjeçare.
“Do më mungojë mirësia e tij, sidomos këto kohët e fundit kur kishte një kujtesë të dobësuar, i doli në pah butësia e tij…”, u shpreh e bija e tij, Anila Omari.
Në akademinë solemne, kolegët nderuan kontributin e Profesorit që jetën ia dedikoi kërkimit shkencor, studimit dhe zhvillimit të së drejtës dhe shkencave juridike në Shqipëri.
Karrierën e tij, Profesori e lidhi ngushtë me zhvillimin e arsimit të lartë dhe institucioneve akademike në vend. Ka qenë docent i së drejtës Publike në Institutin e Lartë Juridik, dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës për gati dy dekada, profesor i Teorisë së shtetit e të së drejtës dhe e i së Drejtës Publike në këtë Universitet, duke formuar breza të tërë juristësh e akademikësh.
“Unë nuk harroj takimin e parë që patëm me Profesorin kur isha student. Ne nuk e njihnim fare dhe ai na tha ‘uroj që të na bashkoheni si kolegët tanë më të mirë’”, tha avokati Maks Haxhia.
Përtej kufijve të Shqipërisë, Profesor Omari ka përfaqësuar vendin në Komisionin e Venecias pranë Këshillit të Evropës, duke përcjellë perspektivën shqiptare në debatet europiane mbi demokracinë dhe të drejtën Kushtetuese.
Akademiku, autor i dhjetëra studimeve dhe monografive mbi historinë e të drejtës në Shqipëri, ka marrë pjesë në të gjitha proceset e debatet kushtetuese për hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë dhe ligjeve kushtetuese pas viteve ’90.
Top Channel